Shefi i OKB-së: Duhen edhe 300 vjet për t'u arritur barazia gjinore

Progresi drejt barazisë gjinore “po zhduket para syve tanë”, i ka thënë të hënën Komisionit për Statusin e Grave Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres.

Duke folur me grupin kyç të OKB-së për të drejtat e grave përpara Ditës Ndërkombëtare të Gruas më 8 Mars, Guterres ka deklaruar se barazia gjinore është “300 vjet larg” sipas vlerësimeve të fundit nga UN Women, organizata e OKB-së e dedikuar për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave.

Guterres përmend shkallët e larta të vdekshmërisë amtare, vajzat që detyrohen të martohen në moshë të hershme dhe vajzat që rrëmbehen dhe sulmohen për shka se ndjekin shkollën si dëshmi se shpresa për arritjen e barazisë gjinore “po bëhet gjithnjë e më e largët”.

Në fjalimin e tij, Guterres nuk e përmendi Iranin, i cili u përjashtua nga komisioni 45 anëtarësh në dhjetor për shkak të protestave pas vdekjes së Mahsa Amini në paraburgimin e të ashtuquajturës “polici të moralit” të Iranit.

“Të drejtat e grave po abuzohen, kërcënohen dhe shkelen në mbarë botën,” deklaroi Guterres, duke përmendur disa vende në veçanti, përfshirë Afganistanin, vend ky që, sipas tij, “gratë dhe vajzat janë fshirë nga jeta publike”.

Të hënën, të rejat afgane u mblodhën jashtë Universitetit të Kabulit për të protestuar kundër ndalimit të talebanëve në pushtet për arsimimin e femrave, një kufizim për të cilin një raport i ri i OKB-së thotë se mund të jetë “krim kundër njerëzimit”.

Raporti i paraqitur në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në Gjenevë të hënën vuri në dukje gjithashtu rritjen e martesave të detyruara dhe të fëmijëve, ndalimin e përjashtimit të grave nga hapësira të tjera publike, të tilla si parqet dhe palestrat, dhe kufizime të tjera që e kufizojnë aftësinë e grave për të punuar dhe udhëtuar të pavarura në Afganistan.

Guterres deklaroi se zëvendëssekretari i përgjithshëm dhe drejtori ekzekutiv i UN ëomen vizituan së fundmi Afganistanin dhe u kanë përcjellë autoriteteve talebane se “ne nuk do të heqim dorë kurrë nga lufta për” gratë dhe vajzat.

“Kriza dhe konflikti prek gratë dhe vajzat së pari dhe më keq”, ka thënë Guterres, duke përfshirë luftën në Ukrainë si shembull. Vitin e kaluar, OKB-ja bëri thirrje për një hetim mbi raportet e përdhunimit dhe dhunës seksuale ndaj grave dhe fëmijëve ukrainas pas pushtimit rus të këtij vendi.

Guterres shtoi gjithashtu se “në shumë vende, të drejtat seksuale dhe riprodhuese të grave po zhbëhen”, megjithëse nuk specifikoi se ku.

Qershorin e kaluar, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara e hodhi poshtë rastin Roe vs. ëade, duke ia lënë të drejtën e abortit shteteve individuale. Një vit më parë, një ndalim për abortet për shkak të defekteve të fetusit hyri në fuqi në Poloni – në esencë duke i dhënë fund pothuajse të gjitha aborteve në këtë vend.

Për ta arritur barazinë gjinore, Guterres bëri thirrje për veprime “kolektive” dhe “urgjente”, duke filluar nga rritja e arsimit, të ardhurave dhe punësimit për gratë dhe vajzat, veçanërisht në vendet në zhvillim në Jugun Global, deri te promovimi i pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në shkencë dhe teknologji. 

“Shekujt e patriarkalizmit, diskriminimit dhe stereotipeve të dëmshme kanë krijuar një hendek të madh gjinor në shkencë dhe teknologji,” ka deklaruar Guterres. “Le të jemi të qartë: kornizat globale nuk po funksionojnë për gratë dhe vajzat në botë. Ato duhet të ndryshojnë.”/CNN

Përgatiti: Nuhi Shala