Komuna e Istogut

Shefi i Kabinetit flet për arrestimin e Haki Rugovës

Kryetari i Istogut, Haki Rugova është ndaluar me urdhër të Prokurorisë së Pejës në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, konfliktit të interesit dhe falsifikimit të dokumentit.

Bashkë me të janë arrestuar edhe Drejtori i Komunës dhe një zyrtar tjetër komunal.

KALLXO.com, mëson se arrestimi i Rugovës ka të bëjë me dy kontrata për dhënien e pronave në shfrytëzim të gurthyesve.

Në lidhje me arrestimin e tij KALLXO.com ka kontaktuar me shefin e Kabinetit të Kryetarit, Valmir Loxha.

Loxha ka thënë se janë të habitur me këtë vendim të organeve dhe se Haki Rugova nuk ka të bëjë asgjë me ato kontrata.

“Jemi të habitur pse, nuk ka të bëjë ajo asgjë me kryetarin, janë dy kontata të 2018-tës të nënshkruara prej ish nenkryetarit Lulzim Blakaj, ato kontrata janë për dhënien në shfrytëzim të disa pronave ku operojnë disa superacione”, tha Loxha.

Ai shtoi se Rugova nuk ka pasur punë me këto kontrata dhe se të njëjtat ishin miratuar në Kuvend Komunal.

“Kreytari nuk ka pas punë me këto kontra, kanë me dal ato dhe janë të nënshkruara prej Lulzim blakes, jemi të habitur se cka ka ndodhë, këto janë shku përmes kuvendit komunal të Isotug, i cili e ka dhanë miratimin dhe kjo pom habit pse, se me 25 vota jonë aprovu për mu dhanë”, shtoj ai.

Me këto vendime disa zona kadastrale në fshatin Cerrcë të Kryetarit Haki Rrugova dhe në fshatin Vrellë u janë dhënë në shfrytëzim gurthyesve për prodhimin e rërës për ndërtim.

Afati kohor për shfrytëzimin e këtyre pronave është 15 vite ndërsa vendimet për leje janë dhënë në mars të 2018-tës.

Pak më parë KALLXO.com, raportoi për arrestimin e zyrtarëve komunal të Istogut nën dyshimet për keqpërdorim, konflikt interesi dhe falsifikim të dokumenteve.

Në vitin 2017, emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte zbuluar se Kryetari i Komunës së Istogut Haki Rugova bashkë me vëllezërit e tij, në vitin 2003-2004 me kompaninë e tyre “Macon”, kishin ndërtuar një objekt shtatëkatësh në pronën komunale.

Përveç ndërtimit në tokën e komunës, kompania “Macon”, pronë e vëllezërve Rugova ka marrë edhe disa tenderë në komunën e cila që nga viti 2010 qeveriset nga Haki Rugova.

Favoret e Komunës së Istogut për Kompaninë e Kryetarit Rugova