Shefi i CIA-s: Bashkëpunimi ushtarak mes Iranit dhe Rusisë 'paraqet kërcënime reale'

Më 24 shkurt 2022, Rusia e pushtoi Ukrainën në një përshkallëzim të madh, i cili filloi në vitin 2014.

Sipas presidentit rus Vladimir Putin pushtimi kishte si qëllim ndërmarrjen e një “operacioni special ushtarak” që synon “çmilitarizimin” dhe “denazifikimin” e Ukrainës.

Pushtimi ka të ngjarë të ketë rezultuar në dhjetëra mijëra vdekje nga të dyja palët dhe ka shkaktuar krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Brenda më shumë se gjashtë muajve nga pushtimi, Rusia përjetoi emigracionin e saj më të madh që nga Revolucioni i Tetorit 1917. Pushtimi ka shkaktuar gjithashtu mungesa globale të ushqimit.

Ndërkohë, sot është dita e 299-të e luftës atje dhe zhvillimet e fundit në dhe nga Ukraina janë si në vijim:

Mbretëria e Bashkuar do ta shpallë një paketë të re të madhe artilerie për Ukrainën ndërkohë që kryeministri britanik Rishi Sunak përgatitet të takohet sot me homologët e tij nordikë, baltikë dhe holandezë në Riga, Letoni.

Sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e kryeministrit dhe siç citohet nga Agence France-Presse, ai do ta njoftojë synimin e Britanisë për të furnizuar “qindra mijëra fishekë municionesh artilerie vitin e ardhshëm sipas një kontrate prej 304 milion dollarë që do të sigurojë një Fluks të vazhdueshëm të municioneve me rëndësi të artilerisë në Ukrainë gjatë gjithë vitit 2023”.

Ukraina zyrtare ka thënë se bombardimet ruse kishin në shënjestër qytetin jugor Kherson të dielën, i cili është përballur me sulme të përsëritura që kur forcat e Kievit e rimorën atë muajin e kaluar. Guvernatori rajonal Yaroslav Yanushevich ka deklaruar të dielën se trupat e Moskës kishin kryer 54 sulme në rajonin Kherson me artileri, sisteme të shumta raketash, tanke dhe mortaja gjatë një dite më parë, duke lënë tre të vdekur dhe duke plagosur gjashtë të tjerë.

Energjia u është rikthyer tre milionë ukrainasve të tjerë pas sulmeve të fundit ruse në infrastrukturë, duke e çuar totalin në nëntë milionë pas dy ditësh, ka thënë presidenti i Ukrainës. Ngrohja gjithashtu është restauruar plotësisht në Kiev, ka deklaruari kryebashkiaku i qytetit Kiev.

Ministria e Jashtme e Iranit ka thënë se nuk do të “kërkojë leje nga askush” për t’i zgjeruar marrëdhëniet me Rusinë, duke hedhur poshtë shqetësimet e SHBA për një partneritet ushtarak në rritje midis Teheranit dhe Moskës. Irani është akuzuar se e ka furnizuar Rusinë me dronë, të cilët dyshohet se janë përdorur për të sulmuar Ukrainën. Shefi i CIA-s, William Burns, ka thënë se bashkëpunimi ushtarak midis Iranit dhe Rusisë “paraqet kërcënime reale” për aleatët e SHBA-së në Lindjen e Mesme.

Nasser Kanani, zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Iranit, i quajti komentet “të pabaza” duke shtuar se Teherani “vepron në mënyrë të pavarur në rregullimin e marrëdhënieve të tij të jashtme dhe nuk kërkon leje nga askush”.

Diplomati veteran amerikan Henry Kissinger beson se koha po afron për një paqe të negociuar në Ukrainë. “Po afron koha për të ndërtuar mbi ndryshimet strategjike që tashmë janë arritur dhe për t’i integruar ato në një strukturë të re drejt arritjes së paqes përmes negociatave,” ka shkruar Kissinger në revistën The Spectator.

“Një proces paqeje duhet të lidhë Ukrainën me NATO-n, megjithatë, u shpreh. Alternativa e neutralitetit nuk ka më kuptim,” shtoi ai./The Guardian