Rebelët Huthi në Jemen. FOTO-REL

SHBA-ja dhe Britania sanksionojnë zyrtarë të lartë të Huthëve pas sulmeve në Detin e Kuq

Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë thënë të enjten se kanë vendosur sanksione të koordinuara ndaj katër figurave të rebelëve Huthi, për rolin e tyre në mbështetjen dhe organizimin e sulmeve ndaj anijeve komerciale në Detin e Kuq.

Sulmet e Huthëve, të përkrahura prej Iranit, kanë çrregulluar tregtinë globale dhe kanë rritur shqetësimet për rritje të inflacionit.

Këto veprime i kanë thelluar shqetësimet se pasojat e luftës Izrael-Hamas mund të destabilizojnë Lindjen e Mesme.

Në mesin e personave të sanksionuar janë ministri i Mbrojtjes i Huthëve, Mohamed Nasser al-Atifi, komandanti i forcave detare të Huthëve, Muhammad Fadl Abd Al-Nabi, shefi i forcave të mbrojtjes detare, Muhammad Ali al-Qadiri dhe Muhammed Ahmad al-Talibi, të cilin të dyja qeveritë e kanë përshkruar si drejtor të prokurimit për rebelët Huthi.

“Bashkë me aleatët tanë, ne do të vazhdojmë të shënjestrojmë personat përgjegjës për veprimet e papranueshme dhe joligjore të Huthëve, të cilat rrezikojnë jetën e detarëve të pafajshëm dhe pengojnë bartjen e ndihmave për banorët e Jemenit”, ka thënë Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, i cili është në vizitë në Lindje të Mesme.

Sanksionet synojnë të pamundësojnë Huthët për të kryer sulme në Detin e Kuq, ka thënë Britania.

Thesari amerikan ka thënë se al-Atifi ka paralajmëruar publikisht se Huthët do ta shndërrojnë Detin e Kuq në varrezë, në përgjigje të sulmeve të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja kundër Jemenit, me qëllim të sigurimit të trafikut komercial.

Al-Talibi është i përfshirë në përpjekjet për të kontrabanduar armë të ofruara prej Iranit, raketa, dronë në Jemen, ka thënë SHBA-ja.

Me këto sanksione, SHBA-ja ngrin të gjitha asetet që kanë personat e shënjestruar në tokën amerikane, dhe ua ndalon amerikanëve që të kenë kontakte me ta.

Britania ka thënë se personave të sanksionuar do t’iu ngrihen asetet, do t’iu vendosen embargo për armët dhe do t’iu ndalohen udhëtimet drejt saj./REL