Fotografi e shkëputur nga transmetimi live nga stacioni i autobusëve në Prishtine, Foto: Gjirafa

Sërish alarm për mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë (VIDEO)

Mëngjesin e sotëm policia ka pranuar një telefonatë tjetër për vendosjen e një mjeti shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja e Policisë së rajonit të Prishtinës, Florie Ahmeti- Haziraj.

Sipas Ahmeti- Hazirajt, policia ka pranuar një telefonatë anonime nga një person i cili kishte thënë se ka vendosur mjete shpërthyese në Stacion të Autobusëve.

“Menjëherë policia ka ndërrmarë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që   janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës”, tha Ahmeti-Haziraj për KALLXO.com.

Sipas të njëjtës, informata është trajtuar nga ana e policisë dhe pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

“Njësitet policore janë tërhequr nga ajo zonë, ndërkohë që hetuesit kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, shtoi ajo.

Një informatë të njëjtë Policia e Kosovës e kishte marrë edhe më 23 dhjetor.

Pas ekzaminimeve policore dhe evakuimit të qytetarëve në atë zonë, rasti në polici ishte hapur si lajmërim i rremë.

KALLXO.com gjithashtu ju prezanton edhe pamje nga stacioni i autobusëve në momentin kur policia evakuon qytetarët pas informacionit për mjet shpërthyes.

Fotografi e shkëputur nga transmetimi live nga stacioni i autobusëve në Prishtine, Foto: Gjirafa