Ilustrim, Vetura të policisë së Serbisë. Foto: mup.rs

Serbia merr vendim, qytetarët obligohen t’i dorëzojnë armët e paregjistruara në Polici

Qeveria e Serbisë tashmë ka marrë vendim që armët e paregjistruara nga qytetarët t’i dorëzohen Policisë.

Qytetarët që posedojnë armë të paregjistruara, nga e hëna e 8 majit, e deri më 8 qershor mund t’i dorëzojnë armët e paregjistruara në çdo stacion policor, për të cilat siç ka raportuar media serbe, N1, nuk do të mbajnë përgjegjësi penale dhe nuk do të kenë asnjë pasojë.

“Qytetarët që dorëzojnë armët e paregjistruara në atë periudhë nuk do të kenë nevojë të dëshmojnë prejardhjen e tyre dhe ato mund t’i lënë në polici çdo ditë nga ora 07:00 deri në orën 19:00”, ka njoftuar Ministria e Brendshme.

Ata sqaruan se bëhet fjalë për të gjitha llojet e armëve, automatike si dhe çdo mjet tjetër, mina shpërthyese, pjesë për armë dhe municione që qytetarët mbanin në mënyrë të paligjshme.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka thënë të dielën se pret përgjegjësi nga qytetarët dhe ka kërkuar nga ata që të mos fshihen dhe t’i hedhin armët, por t’ia dorëzojnë policisë.

Ai ka shtuar se pret që në këtë mënyrë t’i dorëzohen policisë “miliona plumba” dhe ka kujtuar se në muajin e ardhshëm nuk do të ketë dënime për ata që e bëjnë këtë, por se pas kësaj do të jenë dënimet në rritje për armëmbajtje pa leje.

Ministria e Brendshme serbe, nisi aksionin për dorëzimin e armëve pa leje pas dy vrasjeve masive që ndodhën në fshatrat afër Mlladenocit dhe Smederevës , si dhe në shkollën fillore të Beogradit “Vladislav Ribnikar”, në të cilat u vranë 17 persona dhe më shumë se 20 u plagosën./Dukagjini