Selimi për Telekomin: Prokuroria mund t'i gjejë milionat e grabitur edhe në konto tjera

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka deklaruar se Prokuroria duhet të nis proces hetimor lidhur me rastin e Telekomit, duke shtuar se heshtja e këtij institucioni është e patolerueshme.

Selimi në seancën e sotëm në Kuvendin e Kosovës pretendoi se nga kontrata mes Telekomit dhe kompanisë Dardafone (Z-Mobile) kanë përfituar edhe politikanë.

“Çdo veprim që është bërë mbi Telekomin është i ilustruar dhe i toleruar nga  në bashkëpunim me drejtuesit që gjenden në qeverinë e Kosovës dhe partneret e tyre politik. Është dikush që e ka kurdisur dhe nënshkruar këtë kontratë dhe që e ka realizuar, dikush e ka mbrojtur e deri të dikush që është kujdesur për implementimin e këtij plani nga pika e parë deri të e fundit. E krejt këta duhet të japin përgjigje. Por edhe përgjigjeje në një proces të veçantë hetimor që do të duhej dhe do të ndodhë nga Prokuroria. Por deri më tani, heshtja e prokurorisë dhe qeverisë është e pa tolerueshme”, tha ai.

“Po të përfitonte vetëm Dardafone kjo kontratë nuk do të nënshkruhej asnjëherë, por pikërisht kësaj është bërë që të përfitojnë politikanë dhe individë tjerë politik. Jo gjithë milionët kanë shku aty ku thojnë letrat, madje as aty ku thotë arbitrazhi. Ku ta di ku janë ato miliona tash, ndoshta në Qipro apo në kantier ndërtimi në perëndim në ndonjë villë në Stamboll apo Monako…Prokuroria nuk mund të gjejë milionat e grabitur vetëm në kontot e Dardafone por edhe konto të tjera”, tha Selimi.

Ditë më parë xhirollogaritë e Telekomit të Kosovës janë bllokuar si pasojë e përmbarimit të borxhit rreth 25 milionësh nga kompania Dardafone (Z Mobile) që kishte fituar gjykimin në Arbitrazh.

Sot në Kuvendin e Kosovës po zhvillohet debat parlamentar për situatën financiare të Telekomit të Kosovës, pas lejimit të  përmbarimit të Vendimit Përfundimtar OEN nr. 20990/MHM, të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Paris.

Kuvendi i Kosovës këtë pasdite ka nisur debatin parlamentar për situatën financiare të Telekomit të Kosovës, kërkesë kjo e cila ishte parashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje në seancën e kaluar.

Gjatë ditës, Kompania ‘Dardafon.net LLC’, e njohur me emrin tregtar ‘Z-Mobile’ ka folur për herë të parë për bllokimin e xhirollogarive të Telekomit.

Z-Mobile, pronë e Blerim Devollit,  thonë se ata janë pala e dëmtuar në këtë rast, e jo Telekomi.

Gjykata Themelore Prishtinë ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh duke ia refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.

Pas këtij vendimi të Gjykatës kanë pasur reagime të Federatës Sindikale të Pavarur (FSP) të PTK-së, si dhe disa takime me kryeministrin Avdullah Hoti e ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi për të gjetur një zgjidhje.

Deri më tash nuk është gjetur asnjë zgjidhje, ndërsa Telekomi i Kosovës ka lajmëruar i janë bllokuar xhirollogaritë nga ana e përmbaruesit.