Selim Selimi - Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Selimi: Me ligjin e ri për deklarimin e pasurisë do të rritet kontrolli ndaj zyrtarëve shtetëror

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se është finalizuar projektligji për deklarimin e pasurisë.

“Inkurajuese që grupi punues i udhëhequr nga Ministria e Drejtësisë po vijojnë punën me përkushtim të lartë drejt përfundimit të projektligjit për deklarimin e pasurisë, me finalizimin e të cilit përmbyllet reforma e pakos legjislative kundër korrupsionit”, ka shkruar Selimi.

Sipas tij, përmes këtij projektligji, ndër të tjera, do të zgjerohet kategoria e zyrtarëve të cilët do të deklarojnë pasurinë, me theks te sektorët që janë të ndjeshëm dhe ku ka hapësirë për abuzim me paranë publike.

Tutje ai ka shtuar se: “Për herë të parë krijohet baza ligjore për deklarim online të pasurisë, ku do të sigurohet transparencë më e madhe, dhe rrjedhimisht do të krijohen kushtet për përcjelljen e lëvizjes së pasurisë së zyrtarëve të lartë ndër vite”.

Ai ka thënë se, do të parashihet edhe kontrolli i pasurisë duke përfshirë edhe argumentimin e prejardhjes së saj.

“Edhe regjimi i menaxhimit të dhuratave, do të zhvendoset në një nivel më të lartë. Dhuratat e pranuara nga zyrtarët e shtetit do t’i takojnë shtetit – e jo zyrtarit”, ka shtuar ministri Selimi.