Dhia e egër - Foto: KALLXO.com

Sekuestrohen armë pas gjuetisë ilegale në rajonin e Prizrenit

Policia e Kosovës ka sekuestruar armë, me të cilat është kryer gjueti e kundërligjshme.

Sipas policisë armët janë sekuestruar në fshatin Duhël dhe në Kabash-Has.

Janë konfiskuar katër pushkë gjuetie, tri prej tyre pa leje, kurse njëra prej tyre me leje për mbajtje e jo për bartje, të dyshuarit kanë ushtruar veprimtari të kundërligjshme të gjuetisë ilegale.

Policia ka njoftuar se në rastin e parë armët janë sekuestruar në fshatin Duhël.

“Në rastin e parë në Suharekë pas një informacioni të marrë se në fshatin Duhël janë dëgjuar të shtëna nga një automjet me targa vendore, Policia menjëherë duke reaguar ka arritur të ndalojë automjetin e dyshimtë të tipit Audi me targa vendore dhe në këtë rast gjatë kontrollimit të personit  A. K. i lindur në vitin 1981,  në automjet ka gjetur një armë pistoletë e cila është sekuestruar”, thuhet në njoftim.

Ndërsa në rastin e dytë pas pranimit të një informacioni se në fshatin Kabash-Has është duke u ushtruar veprimtari e kundërligjshme e gjuetisë së kafshëve të egra, policia ka reaguar menjëherë dhe  ka ndaluar automjetin e dyshimtë Mitsubishi me targa vendore dhe gjatë kontrollimit ka hasur në katër armë ilegale të tipit pushkë gjuetie.

Tutje policia ka sqaruar se të dyshuarit janë: L. K., L. Q., K. D. dhe L. Q.

Të njëjtit janë proceduar para organit hetues dhe ngarkohen me veprën penale ‘mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘gjueti e kundërligjshme’, pasi gjatë kontrollimit në veturë është gjetur edhe një kafshë derr i egër i vrarë nga ky aktivitet i jashtëligjshëm.

Pas trajtimit të këtyre rasteve dhe njoftimit të prokurorit kujdestar, hetimet janë duke vazhduar në procedurë të rregullt.

Gjuetia ilegale po rrezikon faunën e Kosovës