Shkolla Fillore "Pjeter Bogdani", Prishtine, Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

SBAShK: Më 12 maj grevë një orëshe në të gjitha institucionet e arsimit

Sindikata e Bashkuara e Arsimit Shkencës dhe Kulturës, ka paralajmëruar grevë një orëshe më 12 maj, ditë e enjte dhe protestë më 20 maj, ndërsa nuk kanë përjashtuar veprime edhe më ridikale.

Kjo pasi sipas sindikatës, Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të realizojë kërkesat e tyre duke përfshirë edhe shtesën në pagë prej 100 euro.

“SBASHK i ka ripërsëritur  kërkesat e anëtarësisë që Qeveria të vazhdojë me shtesën në pagë prej 100 euro për çdo muaj deri sa të fillojë zbatimi i Ligjit të Pagave në të cilin ligj kërkohet të merren parasysh propozimet e SBASHK, të fillojë zbatimi i Ligjit për Sigurimin Shëndetësor, Plotësim-ndryshimi i ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, Ligji nr.04/L-131, sidomos të ndryshohet te neni 8, paragrafi 1 e nën paragrafët 1.2 dhe 1.3, që thirret në Ligjin e sigurisë pensionale të vitit 1983, pra sipas të cilit kërkohet që të ketë 15 vjet kontribut në skemat pensionale para 01.01.1999 dhe formimi i komisionit, i  cili do të ulet ne tavolinën e negocimit me SBASHK-un që të gjej zgjidhje për kërkesat drejtuar Qeverisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e SBAShK.

Sindikata e Bashkuara e Arsimit ka thënë se për grevën një orëshe është njoftuar edhe ministrja Arbërie Nagavci, ndërsa i kanë bërë ftesë për angazhim dhe takime me ta.

“SBASHK duke insistuar që çështjet të zgjidhen me dialog edhe në këtë informatë dërguar MASHTI-t  e fton Ministren Nagavci për angazhim dhe takime me  përfaqësuesit e SBASHK-ut  për të debatuar shtruar për gjithë këto çështje, për ta informuar edhe për protestën e 20 majit e për t’u angazhuar bashkërisht në gjetjen e zgjidhjes së pranueshme për çështjet e ngritura”, thotë SBAShK.