Screenshot: Policia e Shtetit/Facebook

Sarandë, parandalohet një rast i dyshuar i shpërthimit në distancë

Policia e Shqipërisë ka njoftuar më 18.02.2024 se falë një ndërhyrje të menjëhershme, e bazuar në inteligjencën policore, kanë parandaluar ngjarje të rënda kriminale që do të kryheshin me shpërthim të telekomanduar të lëndës plasëse.

Policia ka thënë se ngjarja ka ndodhur në Sarandë e janë arrestuar në flagrancë 2 vëllezërit, H.O., 61-vjeçar dhe H.O., 56-vjeçar, të cilët dyshohet se mbanin në banesa lëndët plasëse me qëllim shitjen.

Po ashtu, për këtë rast është shpallur në kërkim një 26-vjeçar, i dyshuar si bashkëpunëtor në përgatitjen e lëndës eksplozive, që dyshohet se do të përdorej nga grupet kriminale.

Siç njoftoi Policia e Shtetit, në këtë ngjarje u sekuestruan pesë kallëpe tritoli, dy prej të cilave të programuara për shpërthim në distancë, shtatë kapsolla detonatorë, tre krehra dhe municion luftarak.

Pas veprimeve hetimore, Policia tha se është proceduar në gjendje të lirë dhe një 58-vjeçar, pasi në banesën e tij u gjet një sasi municioni luftarak.

Sipas Policisë, në vijim të punës intensive shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, finalizuan operacionin e koduar “Knock Out 5”.

Tutje u tha se më herët, gjatë operacionit policor të koduar “Knock Out 4”, për parandalimin e ngjarjeve kriminale, Policia e Vlorës sekuestroi një minë me telekomandë, pesë armë zjarri dhe municion luftarak, si dhe vuri në pranga poseduesin e tyre.

Policia tha se do të vijojnë veprimet e thelluara hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, për të dokumentuar veprimtaritë kriminale të këtyre shtetasve e materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për veprime të mëtejshme.

www.kallxo.com