Foto: Presidenca e Ukrainës

Samiti për Ukrainën në Tiranë – A do të flasë Rama me Zelenskyn për njohjen e Kosovës?

Nesër, më 28.02.2024, në Tiranë do të mbahet Samiti “Ukrainë – Europa Juglindore”, ku do të marrë pjesë edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Në një intervistë për Euronews Albania, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është pyetur nëse ai do të diskutojë me Zelenskyn lidhur me njohjen e Kosovës nga Ukraina.

Rama u përgjigj duke thënë se rruga drejt njohjes nga Ukraina është e gjatë, por është pozitive se edhe Kosova do të jetë pjesë e Samitit.

“Gjëja më e mirë që Kosova po bën është se po tregohet besnike ndaj vlerave të saj. Kjo e nderon Kosovën dhe nuk bëhet për të përfituar diçka. Kosova po bën gjënë e duhur, fillimisht për veten e saj, sa i takon besnikërisë ndaj vlerave të saj. Sigurisht, rruga drejt njohjes nga Ukraina është më e gjatë, por është pozitive që Kosova do jetë pjesëmarrëse” – tha ai.

Kryeministri shqiptar tha se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i është përgjigjur shumë shpejt ftesës dhe tha se pavarësisht dallimeve e çështjeve të ndërlikuara mes vete, të gjithë do të jenë aty me Ukrainën, për diçka që i lidh të gjithë, në mënyra të ndryshme.

Në këtë Samit, pjesëmarrëse do të jetë edhe Serbia, e përfaqësuar nga presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq, ndonëse ajo kishte refuzuar vënien e sanksioneve ndaj Rusisë, pavarësisht kërkesave të Bashkimin Europian.

Kjo është hera e parë që presidenti ukrainas viziton Shqipërinë.

Kryeministri Rama ka thënë se ky Samit tregon mbështetjen dhe solidaritetin e tyre të plotë ndaj Ukrainës.

Rusia ka nisur agresionin e saj ndaj Ukrainës më 24.02.2022.

Agjenda e Samitit përfshin takimin dypalësh mes delegacioneve të Shqipërisë dhe Ukrainës, nënshkrimin e marrëveshjeve mes tyre, e krejt në fund një konferencë për media.

Kjo është agjenda e plotë e Samitit:

E mërkurë, 28.02.2024

09:00 – Presidenti Zelenskyy do të mikpritet nga kryeministri Rama në Kryeministri.

Mediat do të kenë akses në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Këshillit të Ministrave.

09:.05 – Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me presidentin e Ukrainës Zelensky.

9:30 – Takimi bilateral mes dy delegacioneve.

Pamjet dhe fotot e takimeve do të shpërndahen për median në kanalet zyrtare të komunikimit dhe platformat e tjera sociale.

10:10 –  Firmosja e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Ukrainës.

Transmetim i drejtpërdrejtë në kanalet zyrtare të komunikimit dhe në platformat sociale.

11:00 – ​​Doorstep dhe mbërritja e liderëve  (Pallati i Kongreseve).

Akses të gjithë mediat, përpara Pallatit të Kongreseve.

11:30-Kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të mbajnë fjalët hapëse të sesionit.

Transmetim i drejtpërdrejtë në kanalet zyrtare të komunikimit dhe në platformat sociale

13:00 – Foto Familjare.

Të gjitha mediat.

13:30 – ​​Kryeministri Rama dhe presidenti i Ukrainës do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.