Sami Lushtaku nuk ndien për masat anti-COVID-19, mbledh dhjetëra persona në ambient të mbyllur

Anëtari i PDK-së, Sami Lushtaku, ka shkelur masat e Qeverisë së Kosovës për luftimin e COVID-19, duke mbledhur dhjetëra persona në ambient të mbyllur në Skenderaj.

Përmes një postimi në ‘Facebook’ ish-kryetari i Skenderajt ka shkruar se sot ka takuar një grup nga shtabet zgjedhore të nëndegëve në Skenderaj.

“Sot takova grupin tjetër të shtabeve zgjedhore të nëndegëve në Skenderaj. Entuziazmi në Skenderaj është aq i madh sa nuk thuhet. Ky motiv i strukturave tona do të kurorëzohet me fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës”, ka shkruar Lushtaku.

Por, në fotografitë e postuara shihet një numër i madh i njerëzve, shumica e të cilëve janë pa maska.

Në anën tjetër masat e reja të miratuara nga Qeveria e Kosovës më 15 janar e ndalojnë grumbullimin e më shumë se 30 personave brenda një hapësire të mbyllur.

“Në hapësira të mbyllura ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 30 personave, ndërsa në sheshe publike, parqe, vende publike, qendra rekreative dimërore dhe të ngjashme, lejohet grumbullimi deri në 50 persona me përjashtim rasteve të lejuara me këtë vendim”, thuhet në pikën 24 të vendimit të Qeverisë.

Ndërkohë vetëm në 24 orët e fundit, Policia e Kosovës ka gjobitur 446 qytetarë për mosrespektim të masave anti-COVID-19.