Foto: Fatrion Ibrahimi/KALLXO.com

Sa vaksina bleu Kosova e sa iu dhuruan donacion?

Mbi një milion vaksina Kosova i ka blerë. Po aq konsiderohet se pranoi donacion.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka dhënë detaje për blerjet e vaksinave nga Kosova por ka treguar edhe për numrin e dozave që Kosova ka pranuar donacion nga vende e programe të ndryshme.

“Nëse flasim në total, janë 1 milion e 213 mijë vaksina të cilat janë blerë nga fondet e Republikës së Kosovës. Ndërsa, deri në momentin që tani po flasim, janë diku 700 mijë vaksina nga kontrata me Pfizer, të cilat kanë ardhur dhe pjesa tjetër donacione, duke përfshirë këtu 538 mijë doza nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes COVAX-it duke përfshirë këtu edhe 181 mijë doza nga mekanizmi COVAX, e po ashtu, duke përfshirë edhe 94 mijë doza, afërsisht, 94 mijë doza nga marrëveshja me EU-në dhe duke i përfshirë edhe diku 10 mijë doza nga Republika e Kroacisë. Këtu janë edhe 182 mijë dozat nga Norvegjia, nga të cilat 50 mijë janë administruar”, ka thënë ai në emisionin “Kallxo Përnime”.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, nëse përkthehen në përqindje, i bie që Kosova po aq sa ka blerë vaksina aq edhe i ka pranuar.

“Deri më tani, besoj i bie si 50 me 50 përqindja”, tha Arben Vitia.