Fushata “Rinia e Inspiruar nga Paqja”; Foto nga RYCO
RYCO lanson fushatën për ndërtimin e paqes mes të rinjve të Ballkanit Perëndimor
Zyra Rajonale për Bashkëpunim të Rinisë (RYCO) në bashkëpunim me Fondin e OKB-së për Popullatën (UNFPA) dhe me mbështetjen e Fondit të OKB-së për Ndërtim të Paqes (UNPBF) ka lansuar fushatën “Rinia e Inspiruar nga Paqja”.
Kjo fushatë, e cila do të zhvillohet gjatë muajit maj, ka për qëllim ngritjen e vetëdijesimit dhe rritjen e përpjekjeve për ndërtim të paqes dhe pajtimit në mesin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor përmes ngjarjeve të ndryshme.
Gjatë rrjedhës së saj, fushata do të fokusohet në tema si arsimi, pranueshmëria, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për të theksuar rëndësinë e investimit në rini, relevancën e rrëfimeve të tyre dhe fuqinë për ndryshim.
“Me punën e mësimdhënësve dhe nxënësve, fushata do t’i shfrytëzojë praktikat më të mira të punës në pedagogjinë e ndërtimit transformues të paqes në tërë Ballkanin Perëndimor si mjet për promovimin e dialogut rajonal”, njofton RYCO.
Ky projekt do të ofrojë promovimin e aktiviteteve përmes intervistave me mësimdhënës dhe nxënës të përfshirë në aktivitete.
“Gjashtë shkolla në komuna etnikisht të përziera në rajon do të ndriçohen si simbol i afrimit të dallimeve ekzistuese ndërmjet të rinjve”, shkruan tutje.
RYCO është një mekanizëm i pavarur institucional, i financuar nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, me qëllim të promovimit të frymës së pajtimit dhe bashkëpunimit ndërmjet të rinjve në rajon përmes programeve të shkëmbimit.
Marrëveshja për themelimin e RYCO është nënshkruar nga kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Procesit të Berlinit më 4 korrik 2016.