Foto: Jeton Zulfaj, Twitter

Serbisë i kërkohet ta zëvendësojë anëtarin e bordit të RYCO-s që publikoi hartën e Kosovës me flamurin e Serbisë

Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor – RYCO, ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë të zëvendësojë përfaqësuesin rinor në Bordin Drejtues, Jagos Stojanoviq, i cili disa ditë më parë, publikoi një fotografi ku shihet duke e mbajtur një flamur me hartën e Kosovës, të mbuluar me flamurin e Serbisë me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”.

Sekretariati i RYCO-s në Tiranë ka thënë se fotografia e publikuar nga ai është kundër vlerave të RYCO-s.

“Emërimi i kontestuar i Stojanoviq për përfaqësues rinor dhe fotografia kontraverse që ai postoi në mediat sociale janë kundër vlerave thelbësore të RYCO-s dhe nxisin gjuhën e urrejtjes, nga e cila distancohet Sekretariati i RYCO” – thuhet në reagim.

Përmes një letre dërguar ministrit serb të Turizmit dhe Rinisë, Husein Memiqć, RYCO ka theksuar se kjo situatë ka treguar se sa e rëndësishme është përmirësimi i procesit të përzgjedhjes së përfaqësuesit rinor në të ardhmen.

“Statuti i RYCO-s deklaron se përfaqësuesit e të rinjve në Bordin Drejtues zgjidhen ekskluzivisht nga Palët Kontraktuese dhe Sekretariati i RYCO-s nuk ka juridiksion në këtë proces. Neni 16/3 thotë: “Çdo Palë Kontraktuese do të zgjedhë një përfaqësues të të rinjve duke përdorur mekanizmat e veta në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse dhe demokratike dhe në bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile që merret me rininë” – thuhet tutje në reagimin e tyre.

Tutje thuhet se RYCO do të mbetet e përkushtuar për të kundërshtuar të gjitha format e veprimit që nxisin urrejtjen dhe jotolerancën midis të rinjve në Ballkanin Perëndimor dhe do të vazhdojë të promovojë frymën e pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal.

Anëtari i Bordit të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor – RYCO, Jagos Stojanoviq, ditë më parë ka publikuar një fotografi në rrjetin social “Instagram”, ku shihet ai duke mbajtur një flamur me hartën e Kosovës, të mbuluar me flamurin e Serbisë me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”.

Jeton Zulfaj, këshilltari Politik i kryeministrit Albin Kurti, dhe Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut – YIHR kanë reaguar lidhur me këtë fotografi të publikuar nga Stojanoviq.

Zulfaj ka kërkuar shkarkimin e tij dhe dënimin e këtij akti.

YIHR po ashtu ka kërkuar nga RYCO që të veprojë menjëherë lidhur me rastin, duke e konsideruar atë si një nga mekanizmat kyç në procesin e ndërtimit të një të ardhmeje paqësore.

RYCO është një mekanizëm institucional që funksionon në mënyrë të pavarur, i themeluar nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, që synon të promovojë frymën e pajtimit dhe bashkëpunimit midis të rinjve në rajon përmes programeve të shkëmbimit të të rinjve.

Publikoi hartën e Kosovës me flamurin e Serbisë, reagon këshilltari i Kurtit dhe organizata YIHR ndaj anëtarit të RYCO-s