Të rinjtë e Ballkanit Perëndimor e shfaqin frymën e bashkëpunimit
Fushata njëmujore e organizuar nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) për nxitjen e bashkëpunimit të të rinjve në rajonin e Ballkanit Perëndimor u përmbyll më 31 maj.
Fushata “Rinia e frymëzuar nga Paqja”, e cila për qëllim kishte t’i bashkonte të rinjtë nga rajoni për ta ngritur vetëdijen dhe për t’i shtuar përpjekjet për ndërtim të paqes dhe pajtim midis të rinjve, u realizua në bashkëpunim me Fondin e Kombeve të Bashkuara për Popullsi (UNFPA) dhe me mbështetjen e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Ndërtim të Paqes (UNPBF).
“Energjia jonë shtohet nga ky lloj i projekteve dhe kjo e sjell një frymë të re në RYCO”, tha Sekretari i Përgjithshëm i RYCO-s, Albert Hani, gjatë një konference dyditore për bashkëpunimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor, e cila u mbajt këtë muaj në Tiranë, Shqipëri.
Gjatë këtij projekti, gjashtë shkolla në qytete të përziera etnike në mbarë rajonin u ndriçuan me ngjyrë të kaltër, si simbol i tejkalimit të dallimeve ekzistuese midis të rinjve.
Gjatë fushatës u zhvilluan edhe aktivitete promovuese, përmes intervistave me mësimdhënës, studentë dhe të rinj të përfshirë në aktivitetet e projektit.
“Do të doja të vazhdoja të bashkëpunoja me bashkëmoshatarët e mi në të ardhmen, sepse mësova shumë për kulturën e tyre dhe pa paragjykime”, tha Izabela Lako, studente nga Shqipëria që mori pjesë në aktivitetet e këtij projekti të RYCO-s.
“Ne mund ta arrijmë paqen vetëm duke shikuar prapa në të kaluarën tonë dhe duke i përdorur të gjitha këto gjëra që kanë ndodhur në mënyrë që të mos i bëjmë më”, tha Tereza Vujošević, një e re nga Mali i Zi.
“Paqja është e rëndësishme që Ballkani Perëndimor ta arrijë prosperitetin e dëshiruar që mund të arrihet vetëm me praninë e vazhdueshme të dialogut ndërkulturor,” tha Irena Strejkić, mësimdhënëse në shkollën “SEPUGS Vasil Antevski – Dren” in Shkup, Maqedoni e Veriut.
Që nga marsi i vitit 2020, RYCO dhe partnerët e OKB-së janë angazhuar edhe me 24 mësimdhënës nga rajoni dhe kanë krijuar mjete për forcimin e dialogut ndërkulturor në rajon.
“Ka çështje të pazgjidhura që kanë të bëjnë me ndërtimin e paqes, pajtimin dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes në tërë Ballkanin Perëndimor, të cilat një organizatë siç është RYCO mund t’i trajtojë me punën që e bën në projektet e këtilla”, tha Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Shqipëri, Fiona McCluney, duke iu drejtuar audiencës në konferencën e Tiranës.
Historik
Për fushatën
Fushata “Rini e Frymëzuar nga Paqja” ndërmerret në kuadër të projektit të përbashkët të UN-RYCO-së “Mbështetja për Lidershipin Kolektiv të Ballkanit Perëndimor për Pajtim”, financuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Ndërtim të Paqes. Zbatohet nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) dhe tri Agjenci të Kombeve të Bashkuara: UNDP-ja, UNFPA-ja dhe UNICEF-i. Projekti synon t’i ndërtojë kapacitetet dhe tempin për RYCO-në, t’i fuqizojë të rinjtë që të kenë zë në vendimmarrjen publike që ndikon në jetën e tyre si dhe t’i forcojë ata që të jenë faktorë në ndërtimin dhe ruajtjen e mjediseve të sigurta dhe paqësore për vetveten dhe komunitetet e tyre.
Për RYCO-n
RYCO është mekanizëm institucional që funksionon në mënyrë të pavarur, që është themeluar nga shtetet pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor 6 (BP 6): Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova*, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia dhe që synon ta promovojë frymën e pajtimit dhe bashkëpunimit midis të rinjve në rajon përmes programeve të shkëmbimit midis të rinjve.
Marrëveshja për Themelimin e RYCO-s është nënshkruar nga gjashtë kryeministrat e Ballkanit Perëndimor gjatë Samitit të Procesit të Berlinit më 4 korrik të vitit 2016 në Paris.