Rrugëtimi 30 vjeçar ‘jo i lehtë’ i Fetah Rudit me LDK-në

Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), feston 30 vjetorin e themelimit të saj.

Po kaq vite në këtë parti është edhe Fetah Rudi.

Ai sot mori rrugën nga Malisheva për të bërë homazhe te varri i ish-Presidentit, Ibrahim Rugova.

Rudi në zgjedhjet e 6 tetorit fitoi edhe mandatin për deputet në Kuvendin e Kosovës.

Në vitin 1990, Rudi ishte duke punuar në Slloveni, si shumë kosovarë të tjerë të cilët gjenin punë për mbijetesë.

Në një bisedë të shkurtër për KALLXO.com, Fetah Rudi, ka rrëfyer kohën kur u anëtarësua në LDK e takimin e parë me Presidentin Rugova.

“Për herë të parë në Lidhjen Demokratike të Kosovës jam anëtarësuar në vitin 90-të, në ditët e para të formimit të kësaj partie”, thotë ai teksa bën homazhe te varri i Ibrahim Rugovës në përvjetorin e 30 të partisë.

Ai thotë se ishte i bindur që LDK do të punonte për shtetin dhe popullin shqiptar. Kështu mendon ai se do të mbetët partia e cila udhëhiqet nga Isa Mustafa.

“Me Presidentin Rugova jam takuar në vitin 1990 në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës. Nuk kam mëndu që do jetë një njeri e i tillë. Unë në atë kohë punoja si punëtor krahu në Slloveni, mirëpo erdha në Prishtinë se dëgjuam se po formohet Lidhja Demokratike e Kosovës, partia e parë në ish-Jugosllavi”, rrëfen Rudi.

“Dëshira ime ishte të anëtarësohem në LDK dhe shkova në shoqatën e shkrimtarëve, atje e pash për herë të parë presidentin Rugova, profesorin Fehmi Agani, Fatmir Sejdiun, Jusuf Buxhovin e shumë të tjerë”, thotë deputeti i zgjedhur i LDK-së.

Rudi që vjen nga Malisheva thotë se ish-Presidenti Rugova nuk mund të zëvendësohet asnjëherë nga askush.

“Atëherë por edhe sot, presidentin Ibrahim Rugova e kujtoj si ka qenë, pra unë mendoj që nuk do të ketë një person të tillë. Atë s’mund ta zëvendësoi askush hiç, ka qenë një person i dashur, shumë i butë e i urtë por i fortë”, deklaron ai.

Sipas tij, nuk ishte edhe shumë lehtë të ishte anëtar i LDK-së gjatë viteve të 90-ta.

“Gjatë viteve 90-ta nuk ka qenë edhe lehtë me qenë pjesë e LDK-së. Ka pasur shumë sfida nga pushtuesi serb por kemi qenë të pathyeshëm sepse i pathyeshëm ishte Presidenti Rugova”, thotë ai.

Sot, Rudi është 55 vjeç, por me Lidhjen Demokratike të Kosovës e ka kaluar më shumë se gjysmën e jetës.

“Sot i kam 55 vjet ndërsa 30 vjet i kam me LDK-në. LDK është prapë në nivel, është parti e konsoliduar është parti e cila do të punoj për shtet e për qytetar, ku do të respektohet shteti she ligji”, thotë Fetah Rudi.

Më 15 dhjetor të vitit 2000, Fetah Rudi ishte cak i një atentati. Ai sot nuk mund të lëvizë nga plagët që i kishte marrë. Nga ajo kohë, ai lëvizjen e bën vetëm me karrocë.

Ai ka komentuar edhe takimet në mes LDK-së dhe Vetëvendosjes. Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit ka treguar se këto parti duhet të bashkëqeverisin. Ndërsa, sipas tij, posti i Presidentit duhet t’i takoj partisë të cilën e formoi Ibrahim Rugova.

“Mendoj se koalicioni me Vetëvendosjen duhet të jetë, duhet të ndodhë ngase edhe qytetarët më 6 tetor e kanë dhënë besimin. Unë mendoj që posti i Presidentit duhet t’i takoj LDK-së. Nëse dojmë ç’kapjen e shtetit duhet të ndahen, LDK presidentin VV kryeministrin, duet të ecim bashkë”, thotë ai.