Rasti 'Toka 2' - FOTO: Krenare Ferati - KALLXO.com - 02.07.2024

Rrëfimi i dëshmitarit Llaziq në gjykimin ndaj të akuzuarve për krim të organizuar në rastin 'Toka 2'

Gjykimi ndaj të akuzuarve në rastin e njohur “Toka 2” ka vazhduar edhe sot më 02.07.2024 në Gjykatën e Prishtinës.

Avni Maxhuni, Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina dhe Dukagjin Emërllahu akuzohen nga Prokuroria për krim të organizuar.

Në seancën e së martës dëshminë para trupit gjykues e dha dëshmitari Zoran Llaziq.

Dëshmia e dëshmitarit filloi me marrjen në pyetje nga prokurorja speciale Merita Bina- Rugova, e cila në fillim të seancës e pyeti dëshmitarin Zoran Llaziq se a ka ndonjë lidhje familjare me dëshmitarin Predrag Llaziq, i cili kishte dëshmuar në seancën e djeshme më 01.07.2024.

“Është djali i agjës tim”- deklaroi dëshmitari Llaziq.

Ndërsa në pyetjen e parashtruar nga prokurorja se a keni informata lidhur me procedurën që është zhvilluar në gjykatën komunale për këtë tokë, ai deklaroi se nuk dinte si ta përshkruante dhe nuk dinte se si ta tregonte pasi nuk kishte diçka të veçantë, sepse ai nuk ishte marrur me atë punë dhe se ai ishte vetëm trashëgimtar.

Pas përfundimit të pyetjeve nga ana e prokurorisë, seanca e shqyrtimit gjyqësor vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarit nga ana e palëve mbrojtëse.

Gjatë marrjes në pyetje nga ana e mbrojtjes, dëshmitari Zoran Llaziq rrëfeu se jashtë këtij procesi gjyqësor nuk e njeh asnjërin nga të akuzuarit në këtë procedurë.

Po ashtu ai gjatë seancës së sotme rrëfeu se në vitin 1992 ju ishte kthyer toka përmes Komisionit për Kthimin e Tokave e cila ju kishte marruar në vitin 1953,  dhe për këtë ekzistonte edhe lista poseduese dhe ishte e ndarë në 5 pjesë.

Ky rast po trajtohet në Departamentin Special në përbërje nga trupi gjykues me Vesel Ismajli – kryetar, anëtarët Valon Kurtaj dhe Rrahman Beqiri.

Seanca e radhës lidhur me këtë shqyrtim gjyqësor pritet të mbahet më datë më 02.09.2024.

Avni Maxhuni, Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina dhe Dukagjin Emërllahu akuzohen se nga viti 2009 deri në vitin 2014 si grup kriminal kishin kryer vepra të rënda penale me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore.

Aktakuza ndaj këtij grupi lidhet me keqpërdorim pronash të komunës së Prishtinës dhe Graçanicës.
Bëhet fjalë për 36 hektarë tokë komunale të shitur me çmim shumë të ulët në krahasim me çmimin real të tregut.

Sipas prokurorisë veprat ishin kryer ashtu që e akuzuara Nexharije Hoti në cilësinë e gjyqtares në Gjykatën Komunale, në mënyrë të kundërligjshme kishte aprovuar padinë e Dukagjin Mehmetit për të drejtat pronësore të mbi 45 ngastrave me sipërfaqe prej 36 hektarë.

Mehmet Prishtina akuzohet se ishte organizator i këtij grupi ndërsa bashkë me Avni Maxhunin dhe Nexharije Hotin akuzohen për falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe shpëlarje të parave.

Për ndihmë në kryerjen e veprës së nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore ata akuzohen bashkë me Dukagjin Emërllahun.

Në këtë rast të akuzuar kanë qenë edhe 17 persona të tjerë për të cilët është hudhë aktakuza.

Ky rast është ndarë në 3 pjesë, në pjesën e parë në mesin e të akuzuarve është edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin “Toka” mund t`i lexoni duke klikuar KËTU – LINK