Rjeti i Grave reagon për anulimin e dënimit me burg të përjetshëm për vrasjen e gruas në Kamenicë

Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar gjatë ditës së sotme për anulimin e dënimi me burg të përjetshëm për vrasjen e gruas në Kamenicë nga burri i saj.

Gjykata e Apelit e ka anuluar sot aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan me të cilin Nuhi Mavroqanit i ishte shqiptuar dënim i përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Në reagimin e Rrjetit të Grave të Kosovës thuhet se dhuna ndaj grave vazhdon të mbetet një prej formave më pak të ndëshkueshme të dhunës.

“Para pak ditësh, u bë publik lajmi se zyrtari policor R.Sh për afro gjashtë muaj me radhë kishte sulmuar seksualisht një vajzë të mitur në Gjilan, kurse sot Gjykata e Apelit e ka anuluar dënimin me burgim të përjetshëm për Nuhi Mavrovqanin, që vrau gruan e tij me shufër metalike, në korrik të vitit 2020 në fshatin Berivojcë të Komunës së Kamenicës. Në të dy këto raste, si në shumë raste të tjera të dhunës ndaj grave në Kosovë, institucionet që kanë për detyrë të mbrojnë jetën e qytetarëve, po dështojnë ta bëjnë këtë, e madje edhe po e rrezikojnë atë drejtpërdrejt”, thuhet në reagim.

Sipas Rrjetit të Grave të Kosovës, nga viti 2019, dhuna në familje është definuar si vepër penale në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, dhe kjo falë përpjekjeve të disa organizatave të grave, mirëpo, sado që janë ndërmarrë shumë veprime për ta kriminalizuar dhunën në familje, institucionet e drejtësisë ende po ngurrojnë të japin dënime meritore për vrasësit e dhunuesit e grave.

“Përkundrazi, duke ndjekur këtë kulturë të mosndëshkimit, institucionet po e nxisin vazhdimin e dhunës, përdhunimit e të vrasjes së grave. Rrjeti i Grave të Kosovës shpreh indinjatë të thellë për këto dy raste, duke u zotuar njëherësh që do të ngremë zërin për të kërkuar drejtësi, ashtu si për çdo grua tjetër të dhunuar e të vrarë. RrGK nuk do të ndalet derisa dhuna ndaj grave të mos trajtohet vetëm si lajm ditor apo si çështje private. Drejtësi për gratë e vrara! Drejtësi për secilën grua të vrarë e të dhunuar”, thuhet në reagim.

KALLXO.com ka raportuar sot se Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan me të cilin Nuhi Mavroqanit i ishte shqiptuar dënim i përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Gjykata  e Apelit ka njoftuar se rasti i është kthyer të njëjtës gjykatë në rivendosje pasi është aprovuar ankesa e mbrojtësit.

“Gjykata e Apelit ka konstatuar se aktgjykimi në fjalë, është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase nuk është përpiluar në pajtim më dispozitat ligjore. Në fakt nuk janë dhënë arsyet në të cilat është bazuar, me rastin e zgjidhjes se çështjes juridike, veçanërisht me rastin e vërtetimit të përgjegjësisë penale të akuzuarit, si dhe me rastin e zbatimit të dispozitave të caktuara të ligjit penal, ndaj të akuzuarit dhe veprës se tij”, ka njoftuar gjykata e Apelit.

Sipas Dosjes së Prokurorisë së Gjilanit, i akuzuari i kishte shkaktuar bashkëshortes së tij plagë të hapura vdekjeprurëse dhe thyerje në anën e majtë të kokës.

Tutje sipas Prokurorisë, Nuhi Mavrovqani e kishte goditur bashkëshorten e tij me shufër metalike fillimisht në anën e majtë të kokës, duke e rrëzuar në tokë, ndërsa kishte vazhduar duke e goditur në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, po ashtu me shufër metalike.

KALLXO.com ka raportuar që nga fillimi i gjykimit të Nuhi Mavrovqanit.

Burg të përjetshëm kamenicasit që e vrau gruan e tij me shufër të hekurit