Rexhep Selimi e Avdullah Hoti replikojnë për buxhetin për FSK-në

Rexhep Selimi, shef i grupit parlamentar të LVV-së, tha gjatë seancës së sotme të Kuvendit se janë të shqetësuar lidhur me shkurtimet buxhetore që pritet t’i bëhen FSK-së. Selimi tha se në kornizën afatmesme të shpenzimeve për vitin 2021, 2022, 2023 të miratuara në qeveri janë paraparë shkurtime të mëdha të shpenzimeve për mbrojtjen e vendit.

Selimi tha se për këto tri vjet do të ketë shkurtime buxhetore për rreth 97.2 milionë euro në raport me nevojat që ka.

“Ushtria e Kosovës duke e pasë për bazë planin gjithëpërfshirës të tranzicionit duke iu referu kornizës afatmesme të shpenzimeve që është dokumenti kryesor referues për përpilimin e ligjit të buxhetit për vitet përkatëse do të ketë shkurtime si në vijim. Për vitin 2021 do të ketë shkurtime për 28.9 milionë euro, për 2022 për 33.6 milionë euro më pak dhe për 2023 për 34.6 milionë euro më pak. Për këto tri vite të ardhshme FSK do të ketë shkurtime buxhetore për rreth 97.2 milionë euro në raport me nevojat që ka”, tha Selimi.

Selimi tha se shkurtimet buxhetore që po i bëhen FSK-së do të ndikojnë në dëmtim në avancim të kapaciteteve ushtarake, në rekrutimin e ushtarëve të rinj, në blerjen e ndryshme të armatimeve dhe sistemeve tjera mbrojtëse, si dhe sipas tij do të ndikoj në implementimin e tri ligjeve të miratuara në 2018 që e bëjnë FSK-në Ushtri.

“Ne si LVV jemi të shqetësuar me dëmin që po i bëhet FSK-së. Duhet të anulohen këto shkurtime buxhetore dhe të implemetohet plani qeverisë Kurti i cili kishte paraparë që buxheti për ushtrinë të rritet nga 100 milion euro çdo vit deri sa të arrihen kapacitetet e nevojshme ushtarake”, tha Selimi.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti tha se janë duke vazhduar plotësisht me planin për tranzicionin 10 vjeçar të FSK-së dhe, sipas tij, ky mbetet prioritet i tyre.

Hoti tha se nuk do të ketë shkurtime buxhetore për ta realizu planin e tranzicionit të FSK-së.

“Financimin po e bëjmë sipas nevojave që i ka FSK për transformim, tash jemi edhe në procesin e rekrutimit të rekrutëve të rinj për FSK. Nuk do të ketë pengesa në realizimin e planit të tranzicionit të FSK-së. Nuk do të ketë shkurtime buxhetore për ta realizu planin e tranzicionit të FSK-së”, tha ai.

Selimi duke e demantuar kryeministrin i lexoi edhe një herë vlerat e shkurtimeve buxhetore dhe kërkoi nga kryeministri të ballafaqohen në Komisionin për Siguri.

Ndërsa kryeministri Hoti kërkoi që ky debat të bëhet pasi ta sjellin buxhetin për vitin 2021 dhe pasi t’i shohim shifrat.

“Buxheti i FSK-së ka me ardhë në Kuvend në përputhje me nevojat që ka FSK për transformimin e saj”, përfundoi Hoti.