Reuters raporton për Lulëzim Hetemin, pamje brenda zyrës së improvizuar në dhomë gjumi

Një artikull gati dy faqësh i agjencisë ndërkombëtare të lajmeve, Reuters i është kushtuar kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Lulëzim Hetemi.

Duke e përshkruar Hetemin, si një kryetar të një qyteti të vogël të Kosovës, tregohet se si ai është refuzuar nga shumica e banorëve të komunës së tij dhe se si i njëjti është bllokuar mes tensioneve mes shqiptarëve dhe serbëve që kanë kaluar në dhunë sporadike këtë vit.

Në artikullin për Lulzim Hetemin ku u prezantuan edhe fotografi, tregohet se si ai jeton dhe fle në zyrën e tij që nga muaji që ai u zgjodh kryetar, e si ai është duke u ruajtur nga trupat e NATO-s dhe nga Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës.

Hetemi, që më parë u mor me bletë, tregohet se u zgjodh me vetëm 100 vota në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët, që janë pakicë në tërë Kosovën, por që përbëjnë më shumë se 97% të popullsisë së përgjithshme të Leposaviqit.

Ndërsa shqiptarët përbëjnë shumicën dërmuese të 1.8 milionë banorëve të Kosovës.

50 mijë serbë në veri të saj refuzojnë shtetësinë e Kosovës dhe e shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre, 15 vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë pas një kryengritjeje guerile, e Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, shkruan Reuters-i.

Trazirat në veri u intensifikuan pasi kryetarët shqiptarë etnikë morën detyrën në zonën me shumicë serbe, një veprim që bëri që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj të qortonin Prishtinën.

Popullsia serbe kishte bojkotuar zgjedhjet, të cilat u zhvilluan në katër komuna veriore pasi kryetarët e tyre dhanë dorëheqjen në një mosmarrëveshje të gjatë mbi regjistrimin e makinave.

Rajoni verior ka parë dhunën më të keqe këtë vit që nga pavarësia, duke kulmuar në fund të shtatorit kur persona të armatosur serbë sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë. Një polic dhe tre persona të armatosur kanë vdekur.

Menjëherë pasi Hetemi bëri betimin e tij, ai tha se protestuesit e dhunshëm serbë e rrethuan zyrën e tij duke i kërkuar që të largohej. Hetemi ka refuzuar dhe thotë se ka qëndruar në ndërtesë që nga 29 maji pa u kthyer në shtëpinë e tij për asnjë ditë.

“Kush ka dëshirë të qëndrojë në zyrë dhe të flejë në karrige?” – tha Hetemi duke përshkruar ditët e para të izolimit.

“Kur kandidoja për kryetar komune nuk e kisha idenë nëse serbët do të tërhiqen nga gara zgjedhore dhe do të bëjnë një manovër të tillë siç bënë ata” – vazhdon tutje ai.

Më vonë ai gjeti një shtrat për të zëvendësuar karriget dhe fle në një dhomë ngjitur me zyrën e tij, ku takohet me të dërguar ndërkombëtarë dhe zyrtarë të NATO-s, të cilët po përpiqen të parandalojnë çdo dhunë dhe të gjejnë një zgjidhje për zgjedhje të reja.

Kostumet e biznesit varen nga muri dhe ka tre shishe mjaltë sipër një tavoline, njëra pothuajse bosh, e pranë tyre edhe një flamur të Shqipërisë, teksa në dorë mbanë edhe një pikturë.

Fotografitë e Reuters-it mund t’i shihni KËTU.

Ish-stafi komunal në Leposaviq kanë refuzuar t’i shërbejnë një kryetari shqiptar dhe janë zëvendësuar nga 75 punëtorë të tjerë, të cilët janë po ashtu serbë.

Hetemi tha se kishte qenë i kujdesshëm që të mos prekte asgjë që i përkiste administratës së mëparshme, përfshirë disa dhjetëra shishe me pije alkoolike.

“Ne nuk kemi prekur asgjë, as pijet e tyre, librat, flamujt e Serbisë dhe as pikturat e tyre” – tha Hetemi, duke treguar tri kuti me flamuj serb dhe simbole të tjera.

“Kur ata do të kthehen ata do të gjejnë gjithçka siç u larguan sepse ne nuk duam të shkatërrojmë asgjë” – shtoi ai tutje.

Jashtë, ushtarët amerikanë të cilët thanë se ishin nga Teksasi dhe janë pjesë e forcës së NATO-s në Kosovë, po hanin mëngjes, ndërsa qentë endacakë shpresonin për mbeturinat.

Hetemi, duke i parë nga kati i tretë, del çdo ditë në një tarracë për të marrë ajër të pastër dhe për të parë qytetin.

Hetemi tha se është i gatshëm të përfundojë mandatin e tij kur të shpallen zgjedhjet e reja, por ende nuk ka marrëveshje për këtë në negociatat e ndërmjetësuara nga BE-ja ndërmjet serbëve të Kosovës dhe qeverive të Serbisë dhe Kosovës.

Në një shenjë progresi, banorët vendas kanë kërkuar shërbimet e bashkisë për të regjistruar makinat e tyre.

Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka caktuar një afat më 15 dhjetor përreth 10 mijë automobilistë që të regjistrojnë veturat e tyre me numrat e Kosovës ose do të përballen me dënime të rënda.

Për vite me radhë, shumë serbë etnikë kanë refuzuar të regjistrojnë automjetet me targa të Kosovës, duke përdorur sistemin e tyre në vend të kësaj, i cili shihet si i paligjshëm nga Prishtina.