Reshjet e shiut dëmtuan 10 ura vetëm në Kamenicë, mbi 1.8 milionë euro dëme

Dhjetë ura janë dëmtuar nga reshjet dhe përmbytjet e fundit në komunën e Kamenicës. Reshjet e shumta të shiut të cilat ishin në Kosovë në fillim të muajit janar, pos dëmtimit të urave, kanë shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale në këtë komunë.

Urat e dëmtuara janë: Ura në Hajnoc, në Moqarë të Poshtëm, në Berivojcë, ajo e këmbësorëve në Koretin, në Moqarë të Epërm, ura e këmbësorëve afër shkollës “Dëshmorët e Kombit”, ura afër restorant “Pëllumbi”, ura në Dragoc, në Lajçiq si dhe një urë e drurit në Krilevë.

Margarita Rashiti, zëdhënëse e Komunës së Kamenicës ka thënë për KALLXO.com, se për të mundësuar lëvizjen e qytetarëve janë hapur rrugë alternative.

“Deri më tani, për të gjitha këto ura kemi bërë zgjidhje të përkohshme, duke hapur rrugë alternative, vendosje të gypave e mbushjes me zhavorr. Kurse, për urën në Hajnoc e cila lidhë 10 fshatra, kemi hapur një rrugë tjetër alternative, meqenëse në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe FSK-në, jemi në procedurë të vendosjes së urës montazhë, si zgjidhje afatmesme deri në ndërtimin e saj”, ka thënë ajo.

Tutje Rashiti ka thënë se komuna ka kërkuar asistencë edhe nga eksperti në konstruksionin e urave, Arsim Rapuca, i cili i ndihmuar në vlerësimin e dëmeve në ura pas vërshimeve të fundit në Kamenicë.

“Sipas vlerësimit të dëmeve nga komisioni, komuna jonë ka pësuar dëme në vlerë prej rreth 1.8 milion eurosh. Prej tyre, rreth 1.4 milion euro në infrastrukturë”, shtoi ajo.

Në fillim të janarit me vërshime u ballafaquan shumë rajone të Kosovës dhe po ashtu u dëmtuan shumë shtëpi e biznese dhe në sektorin e bujqësisë.

Në Gjilan sipas kryetarit, Lutfi Haziri dëmet e shkaktuara kapin vlerën mbi 1.5 milionë euro. Ndërsa dëme pati edhe në Fushë Kosovë, Rahovec, Gjilan, Drenas, Pejë, Kamenicë, Prizren, Vushtrria dhe zona të tjera.

Prej tyre, Komuna e Kamenicës dhe ajo e Vushtrrisë kanë shpallur gjendje të emergjente.