Petar Petkoviq - Foto: REL/ Zyra për Kosovën

Reagon Petkoviq: Albin Kurti kërcënoi me luftë dhe hakmarrje, përfaqësuesit ndërkombëtarë heshtin

Ka reaguar drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, rreth vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin ndaj qytetarëve të Serbisë për letërnjoftimet.

Portali në gjuhen serbe Kossev shkruan se Petkoviq ka thënë se Kurti po kërcënon me luftë dhe hakmarrje, ndërsa ka akuzuar përfaqësuesit ndërkombëtarë se janë duke heshtur.

“Me vendimet e fundit të njëanshme të institucioneve në Prishtinë për targat dhe letërnjoftimet serbe, Albin Kurti kërcënoi më hapur me luftë kundër serbëve në Kosovë. Vendimi i institucioneve në Prishtinë për ndalimin e letërnjoftimeve serbe dhe pas datës 30 shtator heqjen e vlefshmërisë së targave me emrat e qyteteve serbe ‘KM’, ‘GL’, ‘PR’, ‘UR’ e të tjera, me njoftim se pas se afati do të konfiskohen këto automjete, paraqet goditje të drejtpërdrejtë për të gjithë serbët, si në jug ashtu edhe në veri të Ibrit”, citohet të ketë thënë Petkoviq.

Për Petkoviqin është “e papranueshme” që përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare “të heshtin dhe të shtiren si të ngathët” ndaj “një kërcënimi të tillë konflikti dhe hakmarrjeje”, ndërsa ka thënë se Albin Kurti po përgatit fillimin e një konflikt të madh dhe sulm ndaj serbëve për fund të shtatorit.

“Me heshtjen e tyre bëhen bashkëfajtorë të drejtpërdrejtë të destabilizimit të ri të situatës në terren, të drejtuar nga Albin Kurti, të shkaktuar nga tipari i ri i njëanshëm i pushtetit në Prishtinë”, citohet të ketë thënë Petkoviq.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme elektronike ka marrë vendim që të aplikojë ‘reciprocitet’ për letërnjoftimet e Serbisë.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, bëhet e ditur se kabineti qeveritar ka vendosur që çdo qytetar i Serbisë që hyn në Kosovë me letërnjoftim të Serbisë duhet të pajiset në pikën kufitare me një fletë – deklarim, që përkohësisht e zëvendëson letërnjoftimin, njëjtë siç vepron Serbia me qytetarët e Kosovës.

Kosova vendos reciprocitet për qytetarët e Serbisë, duhet të pajisen në kufi me fletë-deklarim që zëvendëson letërnjoftimet