Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencë për media - 15 prill 2022, Foto: KALLXO.com

Reagon ministri Sveçla pas të shtënave drejt policisë kufitare në veri

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi njësia policore e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit në Zubin Potok, derisa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit është sulmuar me armë zjarri.

Sveçla ka thënë se për më pak se një javë, dy herë strukturat kriminale kanë shtënë drejt zyrtarëve policorë për t’i penguar ose për t’i vrarë ata.

“Gjuajtja me armë drejt zyrtarit policor është sulm ndaj institucionit kryesor të shtetit. Për më pak se një javë, dy herë strukturat kriminale kanë shtënë drejt zyrtarëve policorë për t’i penguar ose për t’i vrarë ata”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ministri ka thënë se grupet ilegale serbe po mbrohen dhe mbështeten edhe publikisht nga struktura të caktuara serbe.

“Rreth 10 herë sot është shtënë drejt zyrtarëve të policisë kufitare derisa ata po kryenin detyrën e tyre zyrtare, kontrollën rutinore në Liqenin e Ujmanit. Grupet ilegale serbe të cilat tashmë po mbrohen dhe mbështeten edhe publikisht nga struktura të caktuara serbe, po bëjnë përpjekje maksimale të na pengojnë apo ndalojnë të kryejmë detyrën tonë brenda vendit tonë”, është shprehur Sveçla.

Më tej, Sveçla ka thënë se do të mbeten të angazhuar me të gjitha kapacitetet që t’i kryejnë detyrat që i obligon ligji dhe Kushtetuta.

“Ne mbesim të angazhuar me të gjitha kapacitetet tona që t’i kryejmë detyrat tona që na obligon ligji e Kushtetuta jonë. Për asnjë kusht nuk do të tërhiqemi nga e drejta jonë, pavarësisht çdo sulmi të organizuar apo orkestruar nga kriminelë që ju pengon puna jonë në çdo cep të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.

Rreth orës 11:25, njësia policore e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit në Zubin Potok, derisa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit është sulmuar me armë zjarri.

Njësia policore ka njoftuar se në drejtim të tyre ka pasur të shtëna me armë.

“Kanë qenë afërsisht 10 të shtëna me armë zjarri. Të shtënat kanë qenë të njëpasnjëshme, nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së policisë. Nga këto të shtëna nuk ka persona të lënduar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Rreth 10 të shtëna me armë drejt policisë kufitare në veri