Kryesuesi i Kuvendit Komunal Rahovec, Defrim Kafexhiu, Foto: Defrim Kafexhiu/ Facebook

Reagon kryesuesi i Kuvendit të Rahovecit pasi kryetari Latifi e largoi nga foltorja

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka larguar nga foltorja kryesuesin e Kuvendit Komunal, Defrim Kafexhiun, pas një përplasje verbale që patën të premten gjatë seancës së Asamblesë.

Përplasja ndodhi gjatë diskutimit të pikës për bartjen e mjeteve vetanake nga viti 2021 në vitin 2022.

Për këtë ka reaguar kryesuesi i Kuvendit Komunal të Rahovecit, Defrim Kafexhiu.

“Dje, me datë 29.04.2022, në seancën e 4 të rregullt u shkel rregullorja, statuti i Komunës dhe u përdhos Kuvendi Komunal, nga dikush që luftoi për çlirim, nga një kryetar komune, që më e pakta që mund të bëjë është respektimi i institucionit në tërësi, sepse për respektimin e anëtarëve të Kuvendit as që bëhet fjalë”, ka thënë Kafexhiu.

Tutje kryesuesi ka thënë se “pengesat gjatë fjalimeve e gjatë votimeve, për të stërgjatur seanca e për të mos bërë gjë, është joetike për një kryetar komune”

“Jetojmë në demokraci, ku nëpërmes votave marrim funksione dhe poste publike, dhe në mungesë të tyre i lirojmë këto poste, fundja pushteti i vërtet i takon sovranit. Ky është botëkuptimi për funksionimin e drejtë të institucioneve publike!. Sa e thjeshtë është!”, ka thënë ai.

VIDEO – Smajl Latifi e largon nga foltorja kryesuesin e Kuvendit Komunal të Rahovecit