Ilustrim

Reagon ‘Germin’: Të pranohen edhe 1,806 fletëvotime nga diaspora

Organizata jo qeveritare “Germin” ka reaguar pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë vlerësimit të pakove me fletëvotime nga Diaspora, vendosi që të anulohen rreth 1 mijë e 200 vota.

“Sot, vëzhguesit e GERMIN, gjatë verifikimit dhe numërimit të pakove me fletëvotime të cilat kanë ardhur përmes postës pas datës 5 tetor, kanë vërejtur se KQZ nuk po e zbaton plotësisht vendimin e djeshëm të Gjykatës Supreme lidhur me pranueshmërinë e votave në fjalë”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

“KQZ nuk i ka procesuar fare 1806 pako me fletëvotime nga diaspora të cilat kanë arritur pas datës 11 tetor 2019, ditën kur është ushtruar ankesa ndaj Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, për 4639 pako me fletëvotime të ardhura me postë pas ditës së zgjedhjeve. Konsiderojmë që ky veprim nuk është në përputhje me aktgjykimin AA.UZH.nr. 20/2019 të datës 30.10.2019 të Gjykatës Supreme”, thuhet tutje në reagim.

“Gremin” deklaron se sipas aktgjykimit, të gjitha pakot me fletëvotime të nisura para ditës së zgjedhjeve, të cilat kanë arritur në KQZ deri në ditën përpara procesimit të 4639 pakove për të cilat është ushtruar ankesë, duhet të procesohen së bashku me to.

Kjo organizatë ka paralajmëruar se do të dërgoj ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nëse nuk pranohen të gjitha fletëvotimet e ardhura nga Diaspora.

“Nëse KQZ nuk i pranon si të vlefshme edhe këto 1806 pako me fletëvotime të ardhura përmes postës, GERMIN paralajmëron se do të paraqesë sërish ankesë pranë PZAP-së për pranimin e të njëjtave”, thuhet në fund të reagimit.

Sot, pas vlerësimit të fletëvotimeve, KQZ vendosi për anulimin e një numri të tyre të ardhura nga Diaspora. Ndaj këtij  vendimi ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje.

VV akuzon Sekretariatin e KQZ-së për moszbatim të vendimit të Supremes

www.kallxo.com