'GERMIN' e quajti skandaloze punën e verifikimit përmes telefonit, KQZ publikon fotografi duke punuar

Vetëm pak orë pasi organizata jo- qeveritare “Germin” e quajti skandaloze mënyrën e verifikimit të aplikuesve të diasporës për zgjedhjet e 14 shkurtit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar disa fotografi ndërsa ka treguar se po punohet në këtë process.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon të gjithë aplikuesit që kanë aplikuar për t’u regjistruar si votues jashtë vendit se ka filluar procesin e verifikimit të tyre duke i kontaktuar përmes telefonit. KQZ po kontakton aplikuesit përmes telefonit dhe nga rreth 2000 persona të kontaktuar, në thirrjet e para të realizuara, mbi 75% e aplikuesve janë lajmëruar në telefon dhe janë konfirmuar aplikimet e tyre”, thuhet në njoftimin e KQZ-së të publikuar në Facebook.

Tutje ata kanë thënë se do të vazhdojnë të kontaktojnë aplikuesit në mënyrë që të u mundësohet verifikimi i aplikimit të tyre.

OJQ “Germin” gjatë ditës së sotme ka reaguar duke e quajtur skandaloze thirrjen me numër anonym aplikuesit jashtë Kosovës të cilët do të votojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit pra muajin e ardhshëm.

“Sikur të mos mjaftonte vendimi i padrejtë e kundër kushtetues i KQZ-së, zbatimi i tij është skandaloz. Kërkojmë nga KQZ ta ndaloj menjëherë këtë proces që cënon seriozisht të drejtën e votës për pjesëtarët e diasporës”, thuhet në reagimin e OJQ “Germin”.

GERMIN: KQZ po telefonon diasporën me numra anonim