
Foto: KALLXO.com
Reagim Publik nga KALLXO.com pas ankesës SLAPP të LVV
Me datë 07.02.2025 redaksia e Debat Përnime ka pranuar një ankesë të cilën Lëvizja Vetëvendosje e ka adresuar në PZAP, e në të cilën pretendon se Debat Përnime ka shpifur kur ka raportuar se gjatë qeverisë Kurti ka pasur emërime të financuesve të LVV-së në borde dhe institucione të pavarura.
Kolegjiumi i redaktorëve, në mbledhjen e mbajtur të shtunën më 08.02.2025, ka vlerësuar se kjo ankesë është ankesë e formatit SLAPP dhe ka për qëllim që nëpërmjet procesit të pabazuar të ankesave boshe të pengojë punën tonë profesionale në verifikimin e fakteve dhe gazetari hulumtuese.
SLAPP (Ang: Strategic Lawsuit Against Public Participation, Përkth: Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike) është një lloj padie që përdoret nga persona ose organizata të fuqishme për të disiplinuar, heshtur ose frikësuar zërat kritik ndaj tyre. Paditë e tilla nuk kanë bazë të fortë ligjore, përkundrazi, qëllimi i tyre parësor është që të mbingarkojnë, lodhin dhe shkaktojnë shpenzime të larta për ata që lirshëm shprehin mendimet dhe qëndrimet e tyre. Cak i shpeshtë i padive të tilla janë gazetarët, aktivistë të OJQ-ve dhe qytetarë të pavarur.
Në një letër të gjatë drejtuar PZAP-së dhe KPM-së, ne kemi argumentuar politizimin e institucioneve të pavarura, emërimet në bordet e ndërrmarrjeve publike, abuzimet me fonde publike dhe tenderë të dyshimtë të realizuar nga këto ndërrmarrje.
Konstatimi ynë i thënë gjatë këtyre zgjedhjeve, për problemet në meritokraci dhe politizim të bordeve, dokumentohet me mbi 100 artikuj hulumtues të cilët i kemi publikuar gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.
Të gjithë këta artikuj kanë kaluar nëpër filtrat e Fact Check dhe nuk janë kontestuar nga askush, duke përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje dhe udhëheqësit e institucioneve për të cilat është raportuar.
Për më tepër, redaksia jonë i ka ofruar LVV-së pjesëmarrjen në debatet tona, hapësirë kjo që është refuzuar pa arsye të mirëqena.
Në përgjigjen drejtuar KPM-së, redaksia jonë ka kërkuar që trajtimi i kësaj ankese të zhvillohet në një procedurë transparente dhe me ftesë për monitorim të pavarur nga OJQ-të dhe mediat.
Redaksia jonë do të vazhdojë që mbi bazën e fakteve të zhvillojë gazetari profesionale ndërsa për ankesat e formatit SLAPP, konform procedurave ligjore, ne do kërkojmë llogari duke përdorur rrugët dhe mjetet juridike në PZAP dhe gjykatë.
Sinqerisht,
Redaksia e Debat Përnime