Rastet me coronavirus, këto janë të dhënat e fundit nga Spitali i Pejës

Spitali i Përgjithshëm Pejë ka bërë të ditur se tre pacientë janë shëruar gjatë 24 orëve të fundit nga COVID-19.

Në këtë spital, aktualisht po trajtohen 53 pacientë me coronavirus, kurse sa i përket gjendjes së pacientëve, tre janë në respirator, 38 pacientë janë në oksigjeno-terapi dhe nga këta 15 pacientë janë në gjendje më të rëndë.

“Nga personeli i spitalit aktualisht janë të infektuar dy mjek, katër infermierë dhe tre punëtor të shërbimeve teknike”, thuhet në njoftim.

Gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, 187 pacientë kanë marrë trajtim emergjent shëndetësorë, kurse 11 pacientë janë shtrirë për trajtim të mëtutjeshëm.

Sipas njoftimit, pesë lindje kanë qenë gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, tri normale dhe dy me prerje cezariane. Kanë lindur pesë foshnje, tri të gjinisë mashkullore dhe dy të gjinisë femërore.

195 pacientë kanë kryer analiza, që në total kanë bërë 2,689 analiza, ndërsa janë kryer nëntë operacione.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 115 shërbime Radiologjike, dhe prej tyre 92 Rëntgena, 15 EHO dhe 8 CT-ja.

Në Kosovë aktualisht janë 3,251 raste aktive me coronavirus, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Të mërkurën IKShPK-ja ka njoftuar se janë shënuar 112 raste me COVID-19 dhe janë shëruar 131 pacientë dhe kanë vdekur 6 të tjerë brenda 24 orëve.

Numri total i rasteve pozitive është 13 mijë e 713 raste nga 52 mijë e 157 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 539 raste të vdekjes.

Ndërkaq, numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 9 mijë e 923 raste.