Raportimi në kohë lufte, fotografi Slivova rrëfen dokumentimin e protestës për mos-dërgimin e ushqimit në Drenicë

Fotografi Ridvan Slivova karrierën e tij e nisi në gazetën “Rilindja”, në moshën 27-vjeçare. Ai ishte i angazhuar si fotoreporter gjatë kohës së luftës në Kosovë në vitet 1998-1999.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime”, ka rrëfyer dokumentimin e protestave në vitin 1998, që ishin organizuar nga gratë.

“Kam fillu me u marrë me fotografi qysh në shkollën e mesme. Këto protesta nuk janë të vetmet që i kanë organizuar gratë, ka pasur edhe protesta të më hershme që kanë organizuar gratë. Të gjitha këto foto i kam bërë me film. Kjo protestë me bukë ka ndodhur më 16 mars 1998, pasi vrasjes së Jasharëve. U blloku krejt Drenica dhe kanë filluar protestat që t’iu çojnë bukë andej. Mos të harrojmë që të gjitha furrat kanë punuar në atë kohë, i kanë furnizu krejt ata me nga një bukë për me çu në Drenicë, megjithëse protesta është pengu në hyrje të Fushë Kosovës edhe jemi kthy mbrapa” – ka thënë Slivova.

Ai tutje ka shtuar se meqë protestuesit janë kthyer në Fushë Kosovë, ata kanë protestuar para objektit të Kryqit të Kuq.

“Tash ajo mini-protestë u kthye ndaj Kryqit të Kuq ndërkombëtar, arsyeja ka qenë që s’kanë mundur të mbërrijnë të ju japin bukë në Drenicë dhe e kanë kthy krejt këtë protestë, krejt këta bukë, para ndërtesës së Kryqit të Kuq” – vazhdon rrëfimin e tij fotografi Slivova.

Slivova ka thënë se fotografitë e protestave janë më të afërta.

“Protesta tregon rezistencën, aftësinë dhe edukatën për të kërkuar të drejtat çdo person” – tha tutje ai.