Gjykata, ilustrim Foto: Pixabay
Publikoi fotografi zhveshur të vajzës me të cilën kishte lidhje, gjobitet me 1800 euro
Gjykata e Mitrovicës e ka shpallur fajtor të pandehurin A. R. nga Vushtrria për veprën penale ngacmim seksual.
Sipas aktgjykimit, A. R. kishte publikuar këtë fotografi duke e ekspozuar në këtë mënyrë të dëmtuarën ndaj poshtërimit, fotografi të cilën ajo ia kishte dërguar gjatë kohës që ishin në lidhje emocionale.
Në aktgjykimin e Gjykatës të publikuar më 23 dhjetor 2022, thihet se i pandehuri më datën 13 prill 2020 kishte publikuar një fotografi në rrjetin social “S. Ch” (sajt Kosova sex), një fotografi të të dëmtuarës në të cilën ajo është e zhveshur, pa pajtueshmërinë e saj.
Për këtë vepër, Gjykata i ka shqiptuar të pandehurit A. R. dënimin me gjobë në shumën prej 1800 euro.
I pandehuri ka deklaruar se pas konsultimeve të mjaftueshme me mbrojtësin e pranon në tërësi fajësinë sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe ka theksuar se i vjen keq për atë se çfarë ka ndodhur.
Sipas aktgjykimit, i pandehuri ka deklaruar që e ka shumë të rëndësishme që këtë çështje ta përfundoj sa më parë, pasi që me të dëmtuarën kaherë janë ndarë dhe kanë pasur disa probleme, gjë që ka qenë edhe arsyeja e ndarjes, por që tani jeton me bashkëshorten A. B., dhe presin të kenë edhe fëmijë së shpejti.
“Shton (i pandehuri) se e ka kuptuar se veprimi ka qenë i pa matur dhe se i vije shumë keq për këtë dhe në të ardhmen do të jetë i vëmendshëm që të mos bije në kundërshtim me ligjin”- thuhet në vendimin e Gjykatës.
Gjykata duke u bazuar edhe në dispozitat e nenit 38, 69 dhe 70 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ka marrë parasysh rrethanat lehtësuese si: pranimin e fajësisë, faktin se i akuzuari ka pasur sjellje korrekte gjatë gjykimit dhe ka shprehur keqardhje për veprën e kryer, fakti se i pandehuri në të kaluarën nuk figuron si kryes i ndonjë vepre penale dhe faktin se i pandehuri tani i është rrekur përkrahjes së familjes dhe jeton e punon jashtë vendit, faktin se me palën e dëmtuar tashmë i kanë ndarë rrugët dhe nuk kanë pasur më asnjëherë mosmarrëveshje mes vete.
Gjykata ka vlerësuar si rrethanë lehtësuese faktin se ka kaluar një kohë nga kryerja e veprës penale e që tani shqiptimi i një dënimi më të rëndë ndaj tij nuk do të arrinte efektin e tij dhe qëllimin e dënimit siç parashihet me Kodin Penal.
Si rrethanë rënduese gjykata ka vlerësuar shkallën e përgjegjësisë penale, motivet e ulëta për kryerjen e kësaj vepre penale, ndjeshmërinë e viktimës, dëmtimin e vlerës së mbrojtur si dhe dëshminë e shkeljes së besimit.
Kundër këtij aktgjykimi është e lejuar e drejta në ankesë në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi.