Pamje nga ekspozita ‘Ukraina në 10 orë’. Foto: KALLXO.com.

Ben Blushi hap ekspozitën për Ukrainën, bën thirrje për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë   

Shkrimtari nga Tirana, Ben Blushi, ka hapur sonte ekspozitën me fotografi “Ukraina në 10 orë”. Ekspozita është hapur në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës në Prishtinë.   

Fotografitë e kësaj ekspozite, Blushi i realizoi gjatë një vizite të bërë në Ukrainë në qershor të këtij viti, si pjesë e një delegacioni shqiptaro- malazias që vizitoi Kievin me rrethinë.   

Kjo vizitë, sipas Blushit, ishte bërë dy javë pas masakrave që ushtria Rusi kishte kryer në rrethinë të kryeqytetit të Ukrainës.   

Përmes 67 fotografive të ekspozuara, Blushi sjell pamje nga zonat e bombarduara të Irpinit dhe Borodyankës, të shkatërruar nga lufta, por edhe nga Kievi.   

I pranishëm në hapje të ekspozitës ishte edhe Blushi, i cili nga këtu bëri thirrje për bashkim kombëtar.   

“Sinqerisht e mendoj këtë gjë, s’jeni shumë veta, 2 milionë banorë, disa po ikin, edhe nga Shqipëria po ashtu po ikin, e vetmja rrugë mbetet të bashkohemi” – tha Blushi.   

Ndërsa tha se ekspozita e tij më fotografi nga lufta në Ukrainë më mirë se kudo tjetër përjetohet në Kosovë.   

“Më mirë se kudo kjo kujtohet në Kosovë, pasi Kosova është vendi i fundit në Evropë, para Ukrainës që ka pësuar nga një ushtri e huaj”-tha shkrimtari Ben Blushi.   

Fotografitë e ekspozitës janë bardh e zi. Sipas autorit, ato komunikojnë më mirë me audiencën.   

Nga një fjalë rasti në hapje të ekspozitës “Ukraina në 10 orë’ kanë mbajtur edhe Qemal Minxhozi, ambasador i Shqipërisë në Kosovë dhe Eridana Çano, kuratore e ekspozitës.   

“Përmes këtyre fotografive autori sjellë një temë shumë sensitive, siç është Ukraina, dhe pasqyrojnë vuajtjet dhe rezistencën e popullit të Ukrainës. Hapja e kësaj ekspozite në Kosovë tregon për gjërat e përbashkëta që ndajnë Kosova me Ukrainën“-tha Minxhozi.   

 Kuratorja Çano tha se ekspozita është një foto-reportazh i asaj se çfarë ka përjetuar Blushi gjatë udhëtimit në Ukrainë.     

“Ekspozita sjell mesazhe të jashtëzakonshme të një populli liridashës që nuk mëton së luftuari për lirinë nga okupatori, dhe këtë e sjell në mënyrë më të mirë të mundshme”- tha Çano.   

Ndërsa, Eliza Hoxha, artiste e cila është marrë shumë me dokumentimin e luftës së Kosovës, tha se përmes fotografisë përjetësohen më së mirë ngjarje të caktuara.   

“Në fakt kur kthehemi pak në kohë, është fotografia që e përjetëson atë që e dokumenton dhe krijon atë shtresimin jetësorë dhe kjo ekspozitë tregon se sa e rëndësishme është dokumentimi i ngjarjeve të tilla”-tha ajo.   

Hapja e kësaj ekspozite u mundësua nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe Qendrën për Hapje dhe Dialog.  

Ekspozita “Ukraina në 10 orë” do të qëndrojë e hapur  deri më 28 nëntor 2022.  

Pamje nga ekspozita ‘Ukraina në 10 orë’. Foto: KALLXO.com.

 

Ben Blushi gjatë hapjes së ekspozitës ‘Ukraina në 10 orë’. Foto: KALLXO.com.

 

Pamje nga ekspozita ‘Ukraina në 10 orë’. Foto: KALLXO.com.

 

Pamje nga ekspozita ‘Ukraina në 10 orë’. Foto: KALLXO.com.

 

Pamje nga ekspozita ‘Ukraina në 10 orë’. Foto: KALLXO.com.

 

Pamje nga ekspozita ‘Ukraina në 10 orë’. Foto: KALLXO.com.