Foto: Vjosa Osmani/Facebook

Raporti i UNMIK-ut për Kosovën, përmendet mosrespektimi i masave gjatë fushatës

Mosrespektimi i masave kundër pandemisë gjatë kohë së fushatës për zgjedhjet e 14 shkurtit, përmendet edhe në raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm për Administratën e Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK, Zahir Tanin.

Në këtë raport mbulohen aktivitetet e UNMIK-ut dhe zhvillimet lidhur me to, duke filluar nga data 16 shtator 2020 deri më 15 mars 2021.

Në dokument thuhet se gjatë periudhës raportuese u shënua numri më i madh i infektimeve në Kosovë që nga fillimi i pandemisë COVID-19, ku më 13 nëntor 2020 u raportuan 1047 raste që njëherësh ishte edhe numri më i lartë.

“Meqë spitali qendror i Prishtinës po arrinte kapacitetin maksimal të shtretërve, u hapën njësi të tjera për COVID-19 në shtatë spitale regjionale në mbarë Kosovën. Pas një periudhe rënieje, numri i rasteve aktive prapë ka shënuar rritje që nga mesi i janarit. Pas shtrëngimit të kufizimeve në nëntor, autoritetet e Kosovës i lehtësuan masat më 15 janar, përkatësisht më 11 shkurt”, theksohet në raport.

Misioni i UNMIK-ut, ka vlerësuar se respektimi i përgjithshëm i kufizimeve, duke përfshirë edhe ato për tubime publike, ka qenë problematik, posaçërisht gjatë fushatës zgjedhore.

Ndonëse në kohë pandemie, partitë politike në Kosovë nuk i kanë përfillur masat për distancë fizike e bartje të maskave.

“Më 8 shkurt, Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë, shprehu shqetësimin për nivelin e ulët të respektimit të masave nga ana e qytetarëve, duke ftuar institucionet relevante që të sigurojnë respektim më të rreptë të masave me qëllim të parandalimit të të përhapjes së mëtejme të virusi”, vijon raporti.

Një vit pas fillimit të pandemisë, agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë vlerësuar se ndikimi shoqëror-ekonomik i COVID-19 ka vazhduar të lë pasoja në Kosovë, përmes papunësisë në rritje, vazhdimësisë së humbjes së të ardhurave, ngecjes në arsim dhe rritjes së dhunës në familje.

Kosova është vendi i fundit në rajon që ka nisur vaksinimin kundër COVID-19, pasi në fund të marsit prani 24 mijë doza të vaksinave.

Kontingjenti i radhës me vaksinave është paralajmëruar të vijë në Kosovë deri në fund të qershorit.