Ramush Haradinaj - kryeministër i Kosovës

Ramush Haradinaj i kthehet Çakorrit

Kryeministri në largim Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në një tubim të AAK-së në qytetin e Pejës.

Haradinaj tha që pavarësisht tentativave për ndryshim të territorit, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë pasi që Peja nuk e lejon këtë.

“20 vjet mbas lirisë kanë punuar prej brenda me e lodhë Kosovën e me dorëzu, me pranu, por kanë bërë gabim. Shkuam ne që jemi këtu, i morëm detyrat edhe ua kthyem prapa ato plane, pra nuk ka mundësi dikush me nguc Kosovën, me nda Kosovën se nuk ka ra Peja dakord”, tha Haradinaj.

Kryeministri në largim u përkujdes që edhe një herë të theksojë që kufiri asnjëherë nuk do ndryshohet sepse kështu ka vendosur Parlamenti i Kosovës.

“Edhe Çakorri, edhe Qafa e Kullës janë të Kosovës. Parlamenti i Kosovës kur ka votuar i ka votuar 3 dokumente ndër to edhe raportin e Komisionit shtetëror në të cilin thuhet se Kosova i respekton të gjeturat e këtij raporti se kufiri është në qafë të Çakorrit e në Qafë të Kullës”, theksoi Haradinaj.