Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rama pas lirimit nga paraburgimi të 3 policëve: Të nisë menjëherë shtensionimi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas lirimit nga masa e paraburgimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës të arrestuar më 14 qershor në veriun e vendit, në Leposaviq.

Rama e ka quajtur të vonshëm por të mirë, lajmin e lirimit të tyre nga paraburgimi.

Ai tha se uron që të nisë menjëherë de-eskalimi i shumëpritur i situatës në veri të Kosovës.

“Kthimi i policëve të Kosovës në shtëpi është një lajm i vonuar, po gjithsesi shumë i mirë, sepse e para, i jep fund heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve që s’kanë kryer asnjë krim dhe e dyta, rihap rrugën e de-eskalimit e të dialogut. Më vjen mirë që forca e arsyes fitoi mbi arsyen e forcës. Uroj që me forcën e arsyes të nisë menjëherë de-eskalimi i shumëpritur nga të gjithë dhe të zgjidhim më tej edhe nyjet e procesit të normalizimit përfundimtar mes Kosovës e Serbisë”- ka shkruar ai.

Ai ka shtuar miopia strategjike në qasjen ndaj dialogut, zvarritja e planit të franko-gjerman, devijimi i fokusit tek demonstrimet e forcës dhe si rrjedhojë, degradimi i situatës në Veri, mund t’i kushtojnë gjithë këtij rajoni.

Rama ka konfirmuar se gjendet në Bruksel ku do të mbajnë takim me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel dhe do diskutojnë për situatën në rajon.

“Do t’i përcjell mikut tonë shqetësimet e mëdha për situatën kritike në rajon dhe bindjen time mbi domosdoshmërinë e një konference pa afat kohor, ku të mbyllur brenda mureve të një strukture mikpritëse nën kujdesin e bashkësisë euro-atlantike, liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllin krejt pikat e marrëveshjes së normalizimit.

Tre policët të cilët tash e dhjetë ditë ishin duke u mbajtur në paraburgim në Serbi janë liruar me vendim të Gjykatës së Kralevës.

Sipas njoftimit të kësaj gjykate, ndonëse është ndërprerë paraburgimi, procesi ndaj tyre do të vazhdojën pasi iu është konfirmuar aktakuza për armëmbajtje pa leje.

Lirohen nga paraburgimi në Serbi 3 policët kosovarë