Rama në Beograd: Duhet t’i rajonizojmë tregjet e energjisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë sot nga Beogradi se shtetet e Ballkanit duhet të rajonizojnë tregjet edhe sa i përket energjisë.

Sipas tij, vendet kanë nevojë që të shkojnë përtej kufijve të tyre për mos të mbetur tregje të vogla.

Rama ka deklaruar kështu në konferencën “Mundësitë e investimit në energjinë e ripërtëritshme në Ballkanin Perëndimor”, e cila është mbajtur sot në Beograd.

“Ajo çka kemi thënë më parë kur nisëm “Ballkanin e Hapur” dhe kur nxitëm për një bashkëpunim më të gjerë rajonal, bëhet gjithmonë e më e dukshme, na duhet të rajonizojmë tregjet tona dhe sa i takon energjisë, na duhet të shkojmë përtej kufijve tanë pasi në të kundërt, ende mbetemi tregje të vogla” – tha kryeministri Rama.

Ai ka shtuar tutje se nëse veprohet në nivel rajonal sa i përket tregut të energjisë, vendet do të kenë qasje me të lehtë në financime.

“Ajo çfarë na duhet e për të cilën kemi nevojë, nëse trajtohet në mënyrë të izoluar, mund të jetë shumë më tepër e kushtueshme dhe jo vetëm kaq. Besoj po kështu se duke vepruar në nivel rajonal, sa i takon tregut të energjisë, ne mund të kemi një qasje më të lehtë në financime dhe po kështu, mund të kemi një partneritet shumë më të fortë në sektorin privat” – ka shtuar Rama.