Raka flet për lajmet e rrejshme për vaksinën anti-COVID-19

Mikrobiologu kosovar Lul Raka, në emisionin ‘KALLXOPernime’ përballë Jeta Xharrës, ka folur për atë që ai e quan infodemia, lajmet e rrejshme rreth pandemisë dhe vaksinës anti-COVID-19.

Ai ka thënë se lajme të rrejshme për vaksinën nuk ka vetëm në Kosovë, por në gjithë botën dhe se ka kohë që propagandohet dhe kjo e dëmton gjithë procesin.

“Një gjë duhet me e pas të qartë, në parandalimin e sëmundjeve asnjë send në botë nuk ka ndiku më shumë se vaksina. 20 vitet e fundit, vaksinimi në përgjithësi ka shpëtu 32 milionë jetë njerëzish, pjesa më e madhe e tyre fëmijë nën 5 vjeç. Nuk ka zbulim më të rëndësishëm për parandalimin e sëmundjeve, se vaksina”, deklaroi Raka.

Sipas tij, shkenca ka arritur që me shpejtësi të pa imagjinueshme të prodhojë vaksinën anti-COVID-19.

“Me shpejtësi pandemike, shkenca ka arrit me nxjerr vaksinë me teknologjinë e fundit. Është e pa imagjinueshme ai zhvillim dhe ajo qasje, sepse vaksina më së shpejti që është përfitu ka qenë 4 vjet. Mirëpo, në kohën kur e gjithë bota është mbyll, kur ekonomia ka ra për toke, normal që shtetet më të fuqishme kanë investu”, ka deklaruar Raka.