Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi në nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit me OSBE-në, 24.05.2024

Rahoveci - komuna e fundit që Misioni i OSBE-së themelon Mekanizmin Koordinues kundër Dhunës në Familje

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka njoftuar se e ka nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për formalizimin e Mekanizmit Koordinues kundër Dhunës në Familje (MKKDHF) në komunën e Rahovecit, më 24.05.2024.

Sipas njoftimit të OSBE-së në Kosovë, Memorandumi i Mirëkuptimit për formalizimin e Mekanizmit Koordinues kundër Dhunës në Familje në Rahovec është mekanizmi i fundit që themelohet, pasi shumica e tyre janë themeluar në komunat e Kosovës me përkrahje të OSBE-së.

Prandaj, OSBE njofton se me Komunën e Rahovecit është shënuar edhe përfundimi i procesit të themelimit të MKKDHF-vë në mbarë Kosovën, me të gjitha 38 komunat tani të mbuluara nga mekanizma funksional.

“Ligji i miratuar së fundmi për Dhunën në Familje vendos bazën ligjore për mekanizmat, duke kërkuar që të gjitha komunat të krijojnë dhe të ofrojnë fonde adekuate për MKKDHF-të” – thuhet në njoftimin e OSBE-së, më 24.05.2024.

Për shefin e Njësisë për Ligj dhe Drejtësi në Misionin e OSBE-së në Kosovë, Mark Lasser lufta kundër dhunës në familje kërkon përfshirjen dhe koordinimin e të gjithë akterëve relevant në nivelin lokal nga sektori i drejtësisë, policia, strehimoret dhe shoqëria civile.

“Në linjë me mandatin tonë për ndërtimin e institucioneve dhe përkushtimin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ne premtojmë përkrahje për MKKDHF-të në punën e tyre të rëndësishme” – ka deklaruar Lasser, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të Memorandumit.  

Ndërsa, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi e ka vlerësuar mbështetjen e OSBE-së dhe ka shprehur përkushtimin e komunës për të mbështetur punën e MKKDHF-ve në koordinimin e politikave për luftimin e dhunës në familje në nivel lokal.

Sipas OSBE-së, nënshkruesit e Memorandumit të Mirëkuptimit për funksionalizimin e MKKDHF në komunat e Kosovës, përfshijnë përfaqësues të qeverisjes lokale, të institucioneve të drejtësisë e sigurisë, dhe të qendrave shërbyese për nevoja të qytetarëve.

“Nënshkruesit e Memorandumit të Mirëkuptimit për funksionalizimin e MKKDHF-ve përfshijnë përfaqësues të gjykatave dhe prokurorive, komunave, Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, Policisë së Kosovës, Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, qendrave për punë sociale, qendrave për shëndetin mendor, qendrave të shëndetit familjar, strehimoreve për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe anëtarë të shoqërisë civile” – kanë njoftuar nga OSBE.

Më tej, Misioni shprehet se anëtarët e MKKDHF-ve punojnë së bashku për të forcuar bashkërendimin, shkëmbimin e informatave dhe angazhimin në nivel lokal në luftën kundër dhunës në familje, duke ndjekur hapa konkretë për të përmirësuar parandalimin, forcimin e mbrojtjes, trajtimin dhe ri-integrimin e viktimave.

Ata kanë përmendur edhe publikimin e një udhëzuesi, sipas së cilit, anëtarët e MKKDHF-ve kanë kuptuar më mirë rolet dhe përgjegjësitë e tyre.

“Ata (anëtarët e MKKDHF-ve) luajnë rol të rëndësishëm edhe në rritjen e ndërgjegjësimit për dhunën në familje dhe shërbimet në dispozicion të viktimave, si dhe në fuqizimin e viktimave për të raportuar këto krime. Për të ndihmuar në rritjen e efikasitetit të MKKDHF-ve, Misioni i OSBE-së në Kosovë publikoi në vitin 2023 Udhëzues për MKKDHF-të, një publikim praktik për të kuptuar më mirë rolet dhe përgjegjësitë e anëtarëve të tyre” – kanë theksuar nga OSBE.

Si përfundim, Misioni i OSBE-së thotë se mbetet i përkushtuar në mbështetjen e komunave për të përmirësuar ndihmën për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, për të lehtësuar zbatimin e kornizës ligjore dhe për të përmirësuar koordinimin ndër-institucional.

Ndërkaq, KALLXO.com po raporton vazhdimisht raste të dhunës në familje që ndodhin në qytete të ndryshme në Kosovë brenda 24 orëve.