Rahimaj i Vetëvendosjes: Do ta rikthejmë pushtetin në Kamenicë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj në “Debat Pernime” ka thënë se do ta rikthejnë Vetëvendosjen në pushtet.

Sipas Rahimajt, votat për të kanë qenë të sinqerta pasi siç thotë ai nuk ka dhënë asnjë premtim.

Ai gjithashtu akuzoi kundërkandidatin e tij me të cilin do të përballet me një rund të dytë, Qëndron Kastratin, se ka shfrytëzuar pushtetin për ngritjen e votës.

“Ne e kemi pasur një diskutim brenda Lëvizjes, dhe kemi qenë të vetëdijshëm se cila është lufta ndaj një pushteti, një qeverisje nesër në këto zgjedhje. Rezultati ka qenë i mirë, i kënaqshëm duke pasur parasysh që ne kemi garuar me një program të sinqertë, dhe pa asnjë premtim. Prandaj besojmë që kjo votë është e sinqertë, në raport me kundërkandidatin i cili e ka shfrytëzuar qeverisjen, pushtetin me premtime dhe investime kapitale ku ai ka menduar që ka më shumë potencial për ngritjen e votës, prandaj ne besojmë, se do të përmbysim dhe do ta rikthejmë Lëvizjen në pushtet”, ka thënë ai. 

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Kamenicë: Qëndron Kastrati nga Partia Socialdemokrate dhe Kadri Rahimaj nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, kandidati i PSD-së për kryetar të Kamenicës, Qëndron Kastrati në rundin e parë të zgjedhjeve më 17 tetor ka marrë 5 mijë e 408 vota, apo 32,52 për qind. Kurse kandidati i LVV-së Kadri Rahimaj ka siguruar 5 mijë e 156 vota, apo 31,01 për qind. 

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.