Kandidati i LVV-së thotë se Qëndron Kastrati ka pasë në listë për Asamble biznesmenë

Kandidati për kryetar të Komunës së Kamenicës nga Lëvizja Vetëvendosje, Kadri Rahimaj ka thënë se deri më tani nuk kanë asnjë koalicion me ndonjë subjekt për rundin e dytë kundër Qëndron Kastratit të Partisë SocialDemokrate (PSD).

“Ne jemi forca e parë në kuvendin komunal dhe sipas gjasave ne i kemi 7 asamblist, në ditët në vazhdim ne jemi duke u konsultuar me partitë tjera opozitare se cila ka me qenë gjuha bashkëpunuese që na nesër mundemi me shty përpara Kamenicën. Por deri më tani, nuk kemi asnjë koalicion definitiv”, ka thënë Rahimaj në Debat Pernime.

Kurse, kandidati i Partisë Socialdemokrate (PSD), për kryetar të Kamenicës, Qëndron Kastrati paralajmëroi formimin e një koalicioni por nuk bëri të ditur se me kënd. 

“Në mandatin e kaluar me kë marrë shumë kohë që me i bind që me e votu buxhetin, për një milionë ka pas me u rrit buxheti edhe nuk e votojshin. Unë jam tu dashtë me iu përshtat mentalitetit të skemës politike, po, kemi me bë koalicion dhe do të duhet me i pas numrat që krejt energjinë dhe kohen me shpenzu qysh me terhek investime. Jemi në fazën që jemi duke degju, dhe përcaktu, ofertat”, tha Kastrati. 

Në anën tjetër, Rahimaj hodhi akuza se në listën për asamble të PSD-së ka edhe biznesmen. Gjithashtu pretendoi se PSD kanë detyruar njerëz që të bëhen pjesë e listës së tyre.

“Në listën e tij për asamble ka pasur 15 persona qe i ka punësu, dhe i detyru me qenë pjesë e listës se tij. Për me keq, në listën e tij ka biznesmen që edhe ja kanë financu fushatën”, tha ai. 

Këto akuza i mohoi Kastrati duke e “sfiduar” Rahimajn që ta gjejë një emër që gjatë mandatit i ka kërkuar që të bëhet pjesë e ekipit të tij. Përndryshe, tha se tërhiqet nga politika, nëse veç e identifikojnë dikë.

“Nuk janë fare të vërteta ato që kemi detyruar dikë, gjema vetëm një emër gjatë gjithë mandatit i kam kërku me u bë pjesë e subjektit politik, ose i kam kërku me u bë pjesë e kësaj ekipe. Unë e lë këtë zanat edhe këtë profesion. Në njërën anë, këta bëjnë fushatë kinse si subjekt nuk i ki as pesë anëtar, e në anën tjetër thonë se i kushtëzu për mu bë pjesë. Këto janë të pavërteta”, u shpreh ai. 

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Kamenicë: Qëndron Kastrati nga Partia Socialdemokrate dhe Kadri Rahimaj nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, kandidati i PSD-së për kryetar të Kamenicës, Qëndron Kastrati në rundin e parë të zgjedhjeve më 17 tetor ka marrë 5 mijë e 408 vota, apo 32,52 për qind. Kurse kandidati i LVV-së Kadri Rahimaj ka siguruar 5 mijë e 156 vota, apo 31,01 për qind. 

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.