Qytetari që ndihmoi në arrestimin e Dardan Krivaqës refuzon shpërblimin e Pacollit

Qytetari i cili ndihmoi Policinë e Kosovës përmes informacioneve për ta gjetur vendndodhjen e Dardan Krivaqës e pastaj arrestimin e tij ka refuzuar shpërblimin e kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacollit.

Këtë e ka konfirmuar më herët këshilltari i Pacollit, Naim Murseli.

Ky i fundit ka edituar postimin e tij në Facebook duke treguar se qytetari në fjalë ka refuzuar çfarëdo shpërblimi nga ana e Behgjet Pacollit.

“Tani mund të konfirmojmë se jemi në kontakt me atë person i cili ka refuzuar çfarë do shpërblimi”, shkruan Murseli.

Dardan Krivaqa u arrestua sot nga Policia e Kosovës gjatë ditës në afërsi të fshatit Sojevë të Ferizajt.

I dyshuari që nga dita e diele ka qenë ia arratisur dhe i kërkuar nga Policia e Kosovës.

Ndërsa i dyshuari tjetër A.S. është arrestuar të dielën në mbrëmje.

Të dielën një vajzë 18 vjeçare ishte dërguar pa shenja jetë në emergjencën e spitalit të Ferizajt.

Policia e Kosovës kishte njoftuar se ajo ishte dërguar në spitalin nga dy persona, të cilët u identifikuan pas disa orësh.

Një natë më parë, dhuna kishte filluar ndaj viktimës. Motivet sipas prokurorisë ishin xhelozie.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më 22 gusht 2021, rreth orës 15:00, në rrugën “Ramdan Rexhepi”, në Ferizaj, në banesën e të pandehurit D.K., me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta e keqtrajtuar viktimën”, thuhet mes tjerash në arsyetimin e kërkesës për paraburgim.

Dosja e prokurorisë së 18 vjeçares thotë tutje se ajo u keqtrajtua dy ditë deri në vdekje.