Qytetari nga Rahoveci pretendon se AKP ia shiti pronën e tij

Besnik Thaçit nga fshati Qifllak i Komunës së Rahovecit i ka dalë një problem me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, pasi pretendon se AKP-ja ia ka shitur një bashkëfshatari pronën e tij.

Thaçi pretendon se një pronë në fshatin Qifllak është pronë e trashëguar, me aktygjykim të plotfuqishëm të vitit 1996. Ai thotë se prej AKP-së atë pronë e ka blerë një bashkëfshatar.

“AKP-ja na ka shitur pronën trashigimtare me aktgjykim të plotfuqishëm të 1996-tës. Pronën e ka blerë një fshatar i joni, pa dijeninë tonë. Ne jemi trashëgimtarë të ligjshëm të parcelës dhe tani jemi në procedura gjyqësore me AKP-në”, ka thënë Thaçi për KALLXO.com.

Në lidhje me këtë pretendim të Thaçit, KALLXO.com ka kontaktuar AKP-në, të cilët në përgjigjen e tyre me shkrim kanë thënë se shitja e pronës është bërë sipas dokumenteve zyrtare kadastrale.

“AKP përgatitë dhe tenderon për shitje ndërmarrje apo asete të tyre që evidentohen prona shoqërore sipas dokumenteve zyrtare kadastrale. Prandaj edhe ka vazhduar procesi i shitjes edhe të kësaj prone. Pasi janë përfunduar të gjitha procedurat e shitjes dhe i është dorëzuar kontrata blerësit, është paraqitur në AKP pala ku edhe ka prezantuar aktgjykimin në lidhje me këtë pronë”, thuhet në përgjigje.

Tutje, AKP-ja e ka konfirmuar që janë në procedura gjyqësore me Besnik Thaçin, për çështjen e pronës.

“AKP e ka udhëzuar palën që të paraqitet në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, për të kërkuar të drejtën e tij ligjore dhe kjo është bërë, ku i njëjti ka këruar masë të përkohshme rreth kësaj parcele. Mirëpo, Dhoma e Posaçme e ka refuzuar këtë kërkesë”.

Ndërsa në lidhjen me pronën, Komuna e Rahovecit ka thënë se prona në fjalë deri në vitin 2020 ka qenë në emër të ‘NBI Rahoveci’, ndërsa në po të njëjtin vit parcela në fjalë është privatizuar nga një person.

“Në po të njëjtin vit me kërkesën e palës (që e ka blerë) është bërë bashkimi i parcelave, në këtë lëndë janë disa parcela të bashkuara dhe marrin numrin e ri kadastral”, thuhet në përgjigjen e komunës së Rahovecit për KALLXO.com.

Ndërsa Besnik Thaçi ka thënë se kërkesa e tij është që të caktohet masa e përkohshme për pronën, deri sa të përfundojnë të gjitha procedurat gjyqësore dhe të vërtetohet pronari i saktë.

“Ne e dojmë masën e përkohshëme që blerësi i AKP-së të mos ndërtojë asgjë dhe me ndërpre. Sepse ai pronari që e ka blerë tokën, ka filluar ndërtimin aty, në pronën tonë”, ka thënë Thaçi.