Ministria jep leje për ndërtimin e restorantit në Kalanë e Vushtrrisë, kryetari thotë se nuk do ta lejojë

Ministria e Kulturës ka marrë sot vendim për dhënien në shfrytëzim të Kalasë së Vushtrrisë.

Për këtë vendim ka reaguar kryetari i kësaj Komune, Xhafer Tahiri.

Këtë vendim ai e ka quajtur skandal.

“Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, në një procedurë super të shpejtë, brenda 1 dite të vetme, pa e njoftuar fare Komunën e Vushtrrisë, në kundërshtim me qëndrimet e Kuvendit të Komunës, ka nxjerrë vendim të kundërligjshëm për dhënien në shfrytëzim të Kalasë së Qytetit për gastronomi”, ka shkruar Tahiri.

Ai tutje ka shkruar se “kalaja është trashëgimi kulturore e qytetit të Vushtrrisë dhe nuk do të lejojmë që të bëhet restorant”.

Në vendimin e marrë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit thuhet se “aprovohet kërkesa e “Dardania Castel”, me pronar Mentor Salihu për shfrytëzim të përkohshëm të Kalasë së Vushtrrisë”. Salihu është daja i ish-kryetarit të Komunës, Bajram Mulaku.

Në vendim është i bashkëngjitur edhe arsyetimi i aprovimit të kësaj kërkese për dhënie në shfrytëzim të Kalasë së Vushtrrisë.

“Në një kërkesë të mëparshme pala ka parashtruar pranë Komisionit  për shqyrtimin e kërkesës dhe projekteve të trashëgimisë kulturore arkitekturore për shqyrtim të projektit rehabilitues të Kalasë së Vushtrrisë.

Në takimin e 44 të Komisionit me datë 19 dhjetor të vitit 2016, është shqyrtuar projekti i ndërhyrjeve në aneksin e Kalasë së Vushtrrisë dhe në kërkesën e Komisionit për plotësim të dokumentacioni  me marrëveshjen për shfrytëzim nga Institucioni kompetent, paka ka prezantuar pëlqimin nga U.D, i Drejtorit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Agim Dërguri”, thuhet në arsyetim.

Tutje në arsyetim thuhet se me rekomandimin e Gërgurit është nxjerrë vendim për aprovimin e projektit për restaurimin e Kalasë së Vushtrrisë, të datës 10 prill të vitit 2017, ku është paraparë shfrytëzimi i aneksit të Kalasë, i cili është i dizajnuar për një veprimtari të fushës së gastronomisë.

Mentor Salihu kishte marrë në shfrytëzim Kalanë e Vushtrrisë edhe më 15 korrik 2017.

Por kjo kontratë ishte shkëputur katër ditë pasi ishte nënshkruar, pasi që Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore kishte gjetur të paktën katër shkelje ligjore në vendimin për dhënien në shfrytëzim të Kalasë së vjetër në Vushtrri.

KALLXO.com kishte raportuar edhe për negocimin e dyshimtë të kontratës për Kalanë e Vushtrrisë.

Negocimi i Dyshimtë i Kontratës për Kalanë e Vushtrrisë