QKUK: Mjeti shpërthyes dyshohet se është nga koha e paraluftës

Mjeti shpërthyes që dyshohet se është gjetur në objektin e Instituteve Paraklinike që gjendet në hapësirën e QKUK-së, dyshohet se është nga koha e paraluftës së fundit në Kosovës.

Kështu kanë thënë për KALLXO.com nga QKUK-ja, duke shtuar se në atë objekt është e vendosur edhe Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK).

Sipas tyre, mjeti është gjetur gjatë inventarizimit të inventarit nga OMK-ja.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se kishte evakuuar personelin përreth dhe ka siguruar perimetrin e nevojshëm.

“Rreth orës 14:00 është pranuar informata për një mjet të dyshimtë, që dyshohet të jetë mjet shpërthyes, në klinikën e patologjisë, respektivisht institutin para klinik” – ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

KALLXO.com raporton nga vendi i ngjarjes se tashmë shiritat dhe ekipet e policisë tashmë janë larguar.

Në pamjet e KALLXO.com nga vendi i ngjarjes shihen zyrtarë policorë me një kuti duke u larguar me automjete nga ambientet e QKUK-së.

Sipas Borovcit, menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për tu siguruar nga rreziku i shpërthimit eventual, duke evakuuar personelin përreth dhe siguruar perimetrin e nevojshëm.

“Në vendngjarje po ashtu janë ftuar edhe ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, të cilët aktualisht po vazhdojnë punën deri në pastrimin e plotë të perimetrit të siguruar nga ana e policisë”- ka thënë ai.

KALLXO.com ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të parë se çfarë është gjetur brenda objektit, mirëpo deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje.