Badovc

Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Qeveria: Synojmë të ndërtojmë dy diga për rritjen e rezervave ujore

Qeveria e Kosovës, sot në takimin e Këshillit Ndërministror të Ujërave kanë deklaruar se synon ndërtimin e dy digave deri në fund të mandatit për të rritur rezervat shtetërore ujore.

Kryeministri Albin Kurti, i pranishëm në këtë takim, i ka dhënë merita qeverisjes së tij për të hyrat nga pagesat ujore, të cilat sipas tij janë rritur.

Kurti, po të tjerash, tha në takim se Qeveria ka krijuar grupin punues për kthimin e ligjshmërisë në dhënien e së drejtës ujore me qëllime komerciale, ka ndaluar dhënien e pasurisë ujore pa koncesion, ka miratuar programin për Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore, ka miratuar financimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura për Gjilan dhe Mitrovicë.

“Sa i përket qeverisjes korporative në ndërmarrjet rajonale të ujërave dhe ujitjes, kemi emëruar Bordet e përkohshme të Drejtorëve me përbërje të barabartë grash dhe burrash dhe jemi në proces të përzgjedhjes së Bordeve të Drejtorëve për shumë ndërmarrje tjera”, ka deklaruar Kurti.

“Të vetëdijshëm për rezervat e ulëta ujore në vend të cilat nuk kalojnë shifrën prej 500 milionë metra kube ujë, kryeministri Kurti ritheksoi synimin e Qeverisë për të rritur këto kapacitete duke ndërtuar dy diga të reja brenda këtij mandati, gjatë të cilit synohet edhe përfundimi i ndërtimit të impianteve në shtatë qendrat e mëdha të Kosovës”, thuhet më tej në komunikatën e Qeverisë.