Kullat e familjes Jashari; Fotografi/KALLXO.com

Qeveria ndalon inçizimin mediatik pa leje në Kompleksin “Adem Jashari”

Qeveria e Kosovës ka vendosur një rregullore e cila ndalon inçizimin e mediave në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” pa leje paraprake nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale (AMKMK).

“Në hapësirat e Kompleksit Memorial ndalohen inçizimet nga mediat dhe portalet pa marrë pëlqimin nga ana e AMKMK-së” shkruan në rregulloren e Qeverisë për sjelljen e vizitorëve në Kompleks.

Drejtori i AMKMK-së, Bislim Zogaj tha për KALLXO.com se tani e tutje të gjitha inçizimet të cilat bëhen mediatike duhet të marrin leje nga Agjensioni.

Sipas tij, kjo rregullore është bërë për shkak të keqpërdorimit për prodhime të ndryshme mediatike.

“Tani e tutje mediat para se të shkojnë të bëjnë xhirime, duhet të marrin leje. Për shkak se shumë po shkojnë po bëjnë këngë aty e po fitojnë prej këngëve e na i japim kah 75 mijë euro në vit për mirëmbajtje. Në qoftë se dikush do të bëjë këngë për Adem Jasharin edhe fiton si këngëtar duhet ta bëjmë rregulloren që një pjesë e fitimit t’i shkojë kompleksit që sa jep shteti për mirëmbajtje të japin edhe ata”, tha Zogaj.

Zogaj tha se do të nxjerrin një rregullore se si do të ndahet pagesa në mes tyre.