Qeveria miraton projektligjin për Prokurorin e Shtetit dhe Prokurorinë Speciale

Qeveria ka miratuar dy vendime që prekin sistemin e drejtësisë, duke miratuar kështu projektligjin për Prokurorin e Shtetit dhe Prokurorinë Speciale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha që projektligji për Prokurorin e Shtetit është hap kyç në kuadër të reformave në sistemin e drejtësisë.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tregoi ndryshimet që i ka bërë projektligji për Prokurorin e Shtetit.

“Është bërë fuqizimi i kritereve për kryeprokuror të shtetit dhe kryeprokuror të prokurorive, janë sqaruar kompetencat e kryeprokurorit të shtetit mbi prokuroritë e tjera në nivel më të ulët. Është saktësuar kompetenca e kryeprokurorëve të prokurorive mbi prokuror që kanë përgjegjësi dhe prokurorët që punojnë aty. Është rregulluar edhe funksionimi i Zyrës për Mbrojtje të Viktimave në kuadër të Zyrës së Prokurorisë së Shtetit” – tha Haxhiu.

Ndërsa tek projektligji për Prokurorinë Speciale, Haxhiu tha se synojnë avancimin e mëtejshëm të legjislacionit për Prokurorinë Speciale.

“Është rregulluar bashkëpunimi i Prokurorisë Speciale me institucionet e tjera, veçanërisht me Policinë e Kosovës” – tha ajo.

Haxhiu shtoi se kanë paraparë ekipe të përbashkëta të hetimit në raste më të ndjeshme dhe më të ndërlikuara nga ana e prokurorisë dhe policisë.