Qeveria e Kosovës. Foto: Arjana Berisha, KALLXO.com

Qeveria miratoi vendimet për shpronësim të pronave për zgjerim të rrugëve

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin përfundimtar për shpronësim të pronave për projektin e zgjerimit të segmenteve të rrugës Kijevë- Zahaq dhe Kijevë- Dollc.

Përveç kësaj, Qeveria ka miratuar edhe propozimin përfundimtar për shpronësim të pronave për projektin për ndërtimin e Autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, segmenti Banullë-Bresalc.

Këto vendime janë marrur në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur më 14.02.2024.

Ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu propozoi që të nxirret vendim për shpronësim të pronave që preken nga ky projekt për zgjerimin e rrugës.

“Pas miratimit të vendimit departamenti i shpronësimit ka mbajtur dëgjim publik dhe ka adresuar ankesat e pronarëve”- tha Aliu në mbledhjen e kabinetit qeveritar.

Aliu i propozoi Qeverisë të nxjerrë vendim për shpronësim të pronave të paluajtshme. 

Qeveria e Kosovës më 08.03.2023 kishte miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit: Zgjerimi i Rrugës Nacionale N9 Kijevë-Zahaq, Segmenti Kijevë-Dollc, Zona Kadastrale: Kijevë, Komuna Malishevë dhe Zonat Kadastrale: Çabiq, Zabërgjë, Gllarevë, Dresnik, Gremnik dhe Dollc të Komunës së Klinës.

Ndërkaq, Qeveria më 09.03.2021 Qeveria kishte miratuar edhe vendimin për anulimin, ndryshimin dhe plotësimin e pjesërishëm të Vendimit Përfundimtar, me të cilin janë miratuar shpronësimet e pronave të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës “Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë”, Segmenti Banullë – Bresallc, që prek komunat Lipjan (Zonat Kadastrale Banullë, Sllovi, Smallushë), Novobërdë (Zona Kadastrale, Parallovë) dhe Gjilan (Zonat Kadastrale Bresalc, Ponesh dhe Zhegovc).