Hekuran Murati, Mistri i Financave, Foto: Arta Sopi, KALLXO.com

Qeveria merr vendim që të mos ketë më pensione nën 100 euro

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të mos ketë më pensione nën 100 euro për kategorinë e personave më nevoja të veçanta, pensionet familjare, pensionet bazike si dhe pensionet invalidore.

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike kanë aplikuar shtesa për këto pensione që kanë qenë nën 100 euro.

“Në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike patëm marrë vendim që për gjatë tërë vitit 2021 asnjë pension të mos ishte nën 100 euro dhe këtu ishin 4 kategori janë pensionet bazike qe kishin vlerën 90 euro, pensionet e aftësisë së kufizuar që kanë vlerën 75 euro, pensioni familjar që ka vlerën 90 euro si dhe pensioni invalidor që ka vlerën 90 euro dhe në të gjitha këto në kuadër të pakos të ringjalljes ekonomike kemi aplikuar shtesa për këto lloj pensione në mënyrë që të mos jenë nën 100 euro”, tha ai.

Ministri Murati tha se në buxhet e kanë paraparë rritjen e përhershme për këto lloj pensionesh.

“Siç edhe e kemi premtuar tani e kem të reflektuar edhe në buxhet dhe kjo shtesë do të bëhet rritje e përhershme dhe që nga tani e tutje për këto lloj pensionesh asnjëra nuk do të jetë nën 100 euro. Tani e tutje synimi ynë do të jetë që pensionet të paguhen në mes të muajit, pra data 17 më së largu, pensionet në mes të muajit kurse pagat në fund të muajit”, theksoi Murati.